Në realitetin politik dhe historik të Kosovës, besimtarët myslimanë – në veçanti shqiptarët myslimanë – përballen me një sfidë që nuk është vetëm politike apo ekonomike, por thellësisht morale, qytetare dhe civilizuese. Përballë politikave me prirje neo-imperialiste të Serbis, pyetja thelbësore nuk është thjesht si të mbrohemi, por çfarë lloj muslimani duhet të jemi dhe çfarë forme duhet të marrë angazhimi ynë në shoqëri. Islami progresiv, i kuptuar drejt dhe në përputhje me burimet autentike, ofron një kornizë të fuqishme për t’iu përgjigjur kësaj sfide.
Shkruan: Adnan Qaka
Është e domosdoshme të theksohet se Islami nuk reduktohet në ritual. Namazi, agjërimi, zekati, shehadeti dhe haxhi janë shtylla të padiskutueshme të fesë dhe themel i ndërtimit shpirtëror të individit. Mirëpo, kufizimi i Islamit vetëm në sferën private të adhurimit e varfëron kuptimin e tij. Islami është fe e jetës, fe e rendit, e drejtësisë dhe e organizimit shoqëror. Ai formon individin që pastaj formëson shoqërinë. Një besimtar që falet pesë herë në ditë, por është indiferent ndaj padrejtësive ekonomike, varësisë strukturore dhe cenimit të sovranitetit të vendit të tij, ka kuptuar vetëm një pjesë të mesazhit islam.
Neo-imperializmi modern nuk shfaqet domosdoshmërisht përmes pushtimit klasik ushtarak; ai vepron përmes kontrollit ekonomik, varësisë tregtare, manipulimit politik dhe bllokimit të zhvillimit industrial. Nëse një shtet pengohet të industrializohet, nëse resurset e tij natyrore – si minierat dhe potenciali energjetik – mbeten të pashfrytëzuara ose të kontrolluara nga interesa të jashtme, atëherë varësia bëhet instrument presioni afatgjatë. Kjo është një sfidë reale për Kosovën. Të mendosh se mjafton devocioni individual për ta neutralizuar këtë rrezik është një iluzion i rrezikshëm.
Islami progresiv nënkupton një vetëdije të thellë se feja kërkon veprim të përgjegjshëm në çdo fushë të jetës. Në traditën profetike, adhurimi nuk ishte i ndarë nga ndërtimi i tregut të drejtë, nga marrëveshjet politike, nga organizimi institucional dhe nga mbrojtja e komunitetit. Profeti Muhamedi a.s ndërtoi një shoqëri ku morali dhe strategjia bashkëjetonin. Kjo është paradigma që duhet të na frymëzojë: devocion i thellë, por edhe vizion strategjik.
Muslimani progresiv në Kosovë duhet të jetë i arsimuar, profesionalisht i përgatitur, ekonomikisht aktiv dhe institucionalisht i angazhuar. Ai duhet të kuptojë ekonominë po aq sa kupton fik’hun; duhet të investojë në shkencë, teknologji dhe industri; duhet të mbështesë prodhimin vendor dhe të kontribuojë në krijimin e një ekonomie të qëndrueshme e të pavarur. Ai nuk bie pre e narrativave naive, por zhvillon mendim kritik dhe strategjik. Ai është i butë në etikë, por i fortë në parime.
Të jesh vigjilent ndaj rrezikut nuk do të thotë të ushqesh armiqësi të verbër apo urrejtje kolektive. Islami ndalon padrejtësinë dhe agresionin, por njëkohësisht ndalon edhe neglizhencën që çon në dobësi. Kur’ani na paralajmëron qartë për rrezikun e shpërqendrimit dhe mungesës së përgatitjes: “Ata që nuk besuan dëshirojnë që ju të shpërqendroheni nga armët dhe sendet tuaja, që të vërsulen mbi ju me një sulm të vetëm” (En-Nisa: 102). Në kontekstin bashkëkohor, ky paralajmërim mund të kuptohet si thirrje për të mos u shpërqendruar nga resurset tona strategjike, nga institucionet tona, nga ekonomia jonë dhe nga uniteti ynë shoqëror. Përgatitja sot nuk është vetëm ushtarake; ajo është arsimore, ekonomike, teknologjike dhe institucionale.
Triumfi përballë sfidave nuk arrihet me retorikë emocionale, por me ndërtim afatgjatë. Ai arrihet kur universitetet prodhojnë dije cilësore, kur bizneset vendore rriten dhe konkurrojnë, kur administrata publike funksionon me integritet, kur rinia edukohet me vetëdije kombëtare dhe fetare të balancuar. Islami progresiv kërkon pikërisht këtë: një brez që falet me përkushtim, por edhe punon me profesionalizëm; që beson thellë, por mendon thellë; që ruan identitetin fetar, por ndërton shtetin me standarde moderne.
Përballë Serbis në çdo fushë – politike, ushtarake, ekonomike, diplomatike dhe kulturore – nuk fitohet me izolim, por me forcim të brendshëm. Një shoqëri e organizuar, me ekonomi të qëndrueshme, me vetëdije të lartë qytetare dhe me besim të gjallë, është e vështirë të nënshtrohet. Kur besimi prodhon disiplinë, kur morali prodhon besueshmëri institucionale, dhe kur adhurimi prodhon përgjegjësi kolektive, atëherë krijohet një shoqëri që jo vetëm përballet me sfidat, por i tejkalon ato.
Prandaj, Islami progresiv në Kosovë nuk është slogan; është projekt. Është thirrje që besimtarët myslimanë shqiptarë të dalin nga pasiviteti, të kuptojnë thellë misionin e tyre historik dhe të ndërtojnë një model ku feja dhe zhvillimi ecin bashkë. Vetëm kështu mund të ruajmë dinjitetin, të mbrojmë resurset tona dhe të sigurojmë që e ardhmja e Kosovës të mos jetë e varur nga vullneti i të tjerëve, por e ndërtuar me duart, mendjen dhe besimin tonë.