Derisa po gjykohet me një aktakuzë ku ngarkohet me krimin e fajdeve, biznesmeni kontrovers Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri” nuk ishte paraqitur në seancën e fundit. Gjykata vendosi që t’ia konfiskoi 50 mijë eurot e lëna si dorëzani dhe të miratoi kërkesën e Prokurorit Armend Hamiti për ta kthyer në paraburgim. Dokumentet që ka siguruar Gazeta Insajderi zbulojnë se ai ka edhe një urdhër-arrest për një rast tjetër.
Gazeta Insajderi
Ditë më parë Gazeta Insajderi raportoi se Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorit Armend Hamiti që Ismet Osmanit-Currit ti konfiskohet 50 mijë eurot e lëna si dorëzani dhe të kthehet në paraburgim.
Krejt kjo erdhi pasi që ai në seancën e fundit në gjykimin ku po ngarkohet për krimin e fajdeve, nuk u paraqit në seancë.
Në këtë proces gjyqësor, Ismet Osmani, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajde” dhe “Detyrim”, ndërsa i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”.
Për mos-paraqitjen e Ismet Osmanit në gjykimin për fajde, ku viktimë nga Prokuroria është cilësuar biznesmeni Faton Dalladaku, ka pasur një vendim gjyqi që ka ardhur pas përpjekjeve të dështuara të organeve të rendit për ta sjell në sallë atë.
Curri i përfshirë edhe në një rast tjetër
Masa e re e vendosur nga Gjykata – konfiskimi i dorëzanisë dhe kthimi në paraburgim, del që të mos jenë i vetmi rast që “Curri” e ka si telashe me drejtësinë në vend.
Gazeta Insajderi muaj më parë ka raportuar ekskluzivisht për një tjetër rast ku i përshirë doli që të ishte Amir Osmani, që është i biri i Ismet Osmanit, dhe biznesmeni tjetër kontrovers, Mentor Beqiri po ashtu me të birin e tij, Art Beqiri. Të tre tash gjendën nën masën e paraburgimit.
Në këtë rast, këta individ ishin përfshirë në një ndjekje me vetura e ku u përdorën edhe arët e zjarrit, dhe krejt ngjarja ndodhi në Graçanicë.
Lexo: Ekskluzive: Përplasje mes grupit të “Currit” dhe Mentor Beqirit, Insajderi sjell detaje nga gjuajtja në Graçanicë
Nga dokumentet që ka siguruar Gazeta Insajderi, del që Ismet Osmani – Curri ka edhe një rast tjetër të hapur e për të cilin madje është lëshuar urdhërarrest.
“Stacioni Policor Graçanicë lidhur me urdhëresën për dorëzimin personal të ftesës, ka njoftuar gjykatën nëpërmjet e-mail me datë 01.07.2024 në ora 10:40 min., me arsyet e mos realizmit të urdhëresës në fjalë ashtu që kanë theksuar Lidhur me urdhëresën PKR nr….. e lëshuar ndaj të pandehurit Ismet Sakin. Osmani me vendbanim në “….” ju njoftojmë se njësitet policore kanë qenë disa here tek shtëpia e tij dhe na kanë njoftuar se shtëpia është e mbyllur dhe nuk kanë mundur ta dorëzojnë ftesën. Sipas disa informative, i njëjti gjendet në arrati për shkak të një vepre tjetër penale dhe besohet se mund të jetë jashtë vendi”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës kur vendosi që t’ia merrte paratë e dorëzanisë dhe mundësisht ta kthej në paraburgim Osmanin.
Pas pranimit të informatës së të njëjtit është tentuar që ti dorëzohet ftesa për seancë disa herë. ndërsa shtëpia ka qenë e mbyllur “dhe në të njëjtën kohë nga njoftimi i Policisë rezulton se i njëjti gjendet në arrati për shkak të një vepre tjetër penale dhe besohet se mund të jetë jashtë vendit”, thuhet tutje në arsyetim.
Gjykata në vendim zbulon se urdhërarresti ndaj “Currit”, për rastin tjetër, ekziston që nga mesi i muajit maj të këtij viti, derisa seanca për rastin në gjykim e sipër ishte në fillim të korrikut.
“Me qëllim që të vërtetohet njoftimi i policisë, se i njëjti gjendet në arrati, gjykata ka pranuar informatën se ndaj të akuzuarit Ismet Osmani, sipas vendimit të kësaj gjykatë në shenjën PPRKR …. të datës 16.05.2024, është lëshuar ërdhërarrest”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Sipas aktakuzës së 19 nëntorit 2021, të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, në periudhën e fund vitit 2013 deri në shtator 2015, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Dalladaku për shkak të borxhit të marrë në qershor 2012, në shumë 350 mijë euro (nga të cilat 100 mijë euro transfer dhe 250 mijë euro në dorë), me çka i pandehuri Nika dhe i dëmtuari lidhin një kontratë mbi shitblerjen e paluajtshmërisë-shtëpisë, lokacioni qytezja Pejton-Prishtinë.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nika e evidenton në kadastër si pronë të tij, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të Dalladakut, me rastin e dhënies së parave e ngarkon duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ashtu që me kamatë 7% e cila gjatë dy muajve në vijim i pandehuri Nika nga i dëmtuari Dalladaku merr kamatën në shumë prej 50 mijë euro.
Tutje, thuhet se të pandehurit Nika, Osmani dhe Bojku shtojnë presionin ndaj të dëmtuarit Dalladaku dhe me këtë rast këta në bashkëpunim duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ia japin Sahit Paraqarizit shumën prej 250 mijë euro, sepse toka prej 3 hekatarësh në magjistralen Prishtinë-Ferizaj 8 km, nga Prishtina, e cila kishte vlerën prej 600 mijë euro ishte e Paqarizit, ashtu që ai e bëri bartjen e pronësisë të kësaj toke.
Ndërsa, thuhet se për të njëjtën shumë pra 600 mijë euro (250 mijë euro plus 350 mijë euro) e ngarkojnë të dëmtuarin Dalladaku si borxh i ri, por gjithnjë në bashkëpunim edhe më tej të pandehurit e mbajnë në posedim shtëpinë e Dalladakut sipas kontratës me të akuzuarin Nika.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Fajde”.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se të akuzuarit Nika, Osmani dhe Bojku, pasi në periudhën e fillim vitit 2014, i dëmtuari Dalladaku dështon në kthimin e shumës fillestare 350 mijë euro, i pandehuri Nika në bashkëkryerje me Osmanin e Bojkun, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij.
Tutje, thuhet se kanë shkuar fillimisht në lagjen “Pejton”, ku është prona e cila ishte objekt i shitblerjes mes Nikës e Dalladakut, dhe kanë hyrë në shtëpi, me këtë rast, me veprime kërcënuese dhe me tone të ashpra kanë komunikuar me dëshmitarin Muharrem Hajdaraj dhe Gazmend Qelaj, punëtorë në firmën “Design Factory” që kishte zyrat aty.
Në aktakuzë thuhet se Osmani kontrolloi në zyrë duke hapur derën e zyrës së Dalladakut, por i njëjti i frikësuar për jetë ndal dritën dhe fshehet në tualet, pastaj të pandehurit tentojnë që me forcë të marrim çelësin e shtëpisë nga Hajdaraj, i cili edhe pse pati kërcënime në adresë të vet dhe të Dalladakut, fillimisht refuzoi t’ua japë, por pas këmbëngulësisë dhe ashpërsisë së sjelljes së tyre, detyrohet t’ua japë.
Tutje, thuhet se pas disa muajsh të tre të pandehurit e detyrojnë të dëmtarin Dalladaku t’ua japë një pronë në sipërfaqe 3 hektarësh në lokacionin afër QMI, vlera e së cilës është rreth 900 mijë euro, por për borxhin e arritur i llogaritet vetëm 700 mijë euro, e me këtë rast Nika nuk ia kthen shtëpinë Dalladakut, por vazhdon që ta mbajë edhe më tutje në emrin e tij, ashtu që në vitin 2017, sipas një marrëveshje, të njëjtën ia shet Adil Thaqit në shumë prej 260 mijë euro.
Për këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”.
Tutje, i pandehuri Mentor Maqani, në shtator të vitit 2015, thuhet se kontrakton një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare në këmbim të shërbimit, duke hyrë në marrëveshje verbale me të dëmtuarin Dalladaku që të blejë pronën 5 hektarësh afër QMI-së, në të cilën i pandehuri Dalladaku kishte një leje ndërtimi për spital, e që me kapital të tij veçse kishte ndërtuar 1 plus 3 kate me investim rreth 1 milion euro duke i paguar 700 mijë euro për këtë pronë në emër të blerjes së aksioneve për spitalin “Intermed”.
Tutje, thuhet se marrëveshja ishte që i akuzuari Maqani të blinte borxhin prej 450 mijë euro nga të pandehurit Nika, Osmani dhe Bujku të paraqitur në dispozitivin II duke e liruar nga ky borxh të dëmtuarin Dalladaku, kurse mbetjen prej 250 mijë euro t’ia paguante Dalladakut dhe me datën 5 shtator 2015, i pandehuri Maqani ia transferoi shumën 100 mijë euro Dalladakut dhe ia dha dy vetura në vlerë prej 150 mijë euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajde”.
Dispozitivi i katërt i aktakuzës thotë se i pandehuri Maqani në muajin mars 2016, njëanshëm ndërpreu marrëveshjen verbale të cekur më lartë dhe ia ka marrë të dy veturat të dëmtuarit Dalladaku, ia ka llogaritur 80 mijë euro shfrytëzim të veturave dhe punën e kompanisë “Albioni” dhe duke përdorur kanosjen serioze kërkoi mbetjen prej 582 mijë euro prej të dëmtuarin Dalladaku.
Këtë thuhet se e ka bërë ashtu që e ka detyruar të njëjtin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, të pranojë imponimin, se ka obligim ndaj Maqanit dhe i dëmtuari Dalladaku bie në kontakt me Adil Thaqin që të jetë ndërmjetësues tek Maqani për shtyrje të afatit të borxhit.
Fillimisht thuhet se me Thaqin arrihet marrëveshje verbale që borxhi i imponuar 582 mijë euro të shtyhet deri në natën e fundit të vitit 2017 dhe po ashtu me datë 30 maj 2017 bëhet një marrëveshje lidhur me shtëpinë në Pejton ku Thaqi ia pagoi Nikës 260 mijë euro me kusht që nëse Dalladaku nuk arrin të paguajë këtë borxh, Dalladaku merret vesh me Nikën dhe Thaqin që shtëpia në Pejton t’i shitet Thaqit.
Me këtë, Maqani akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi”.
Ndërkaq, në dispozitivin e fundit të aktakuzës, thuhet se në janar të vitit 2018, i pandehuri Thaqi, i cili ishte si ndërmjetësues, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten e mashtron të dëmtuarin Dalladaku se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse nga transaksionet financiare shihet se nuk kishte të holla 260 mijë euro për pagesën e kryer për Sami Nikën.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.
Prokuroria ka propozuar që të konfiskohen pasuritë e luajtshme që janë objekt i urdhrit nga neni 273 dhe urdhrit për ndalim afatgjatë nga neni 266 të KPP-së të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, të cilat kanë rrjedhë si rezultat i veprave penale dhe kjo pronë t’i kthehet pronarit tani të ligjshëm, të dëmtuarit Dalladaku si në vijim: parcela me adresë rruga “Perandori Justinian” në Prishtinë, me sipërfaqe 446 metra katror. /Gazeta Insajderi/