Ministri italian për Trashëgimi dhe Aktivitete Kulturore dhe Turizëm, Dario Franceschini, ka thënë se Italia është e interesuar të bashkëpunojë me institucionet kulturore në të gjithë sektorët e kulturës, por me theks të veçantë në atë të bashkëprodhimit filmik.
Kjo është bërë e ditur gjatë një takimi që ka pasur ministri i Kulturës i Kosovës, Kujtim Shala.
Ministri Shala, përveçse e falënderoi homologun e tij për bashkëpunimin e deritashëm, tha se pret që kjo të thellohet edhe më tej, duke promovuar vlerat e njëri-tjetrit, përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, siç janë UNESCO-ja, ICCROM-i etj.
Gjithashtu, homologu i tij italian Franceschini, tha se Italia mund të japë mbështetje të gjithanshme për edukimin e punonjësve profesionalë dhe të rinjve nga Kosova për profesione specifike, për të cilat nuk ekzistojnë programe shkollimi në Kosovë.
Ministrat Shala dhe Franceschini u pajtuan që të nënshkruhet një marrëveshje-kornizë bashkëpunimi, e cila do t’u mundësojë artistëve, institucioneve dhe ekspertëve të kulturës e të trashëgimisë kulturore shkëmbim të përvojave dhe të njohurive profesionale. /Insajderi.com