Ministrat e Brendshëm të Gjermanisë, Francës dhe Italisë do të takohen për bisedime urgjente në Paris pas paralajmërimeve të Italisë se fluksi i emigrantëve në vend është i papërballueshëm.
Italia ka kërcënuar se do të mbyllë portet e saj dhe do të ndalojë anijet e shpëtimit të agjencive të ndihmave të marrin njerëz nga Libia. Mbi 500 mijë emigrantë kanë hyrë në portet italiane që nga viti 2014. Qeveria italiane ka kërkuar reagimin e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian pas mbërritjes së 12 mijë emigrantëve vetëm brenda dy ditësh, javën e kaluar.
“Ajo që po ndodh para syve tanë në Itali është një tragjedi në zhvillim”, tha komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filipo Grandi. “Ky nuk mund të jetë vetëm një problem i Italisë” shtoi ai.
Roja Bregdetare në Romë, aktualisht koordinon misionet e shpëtimit në zonë, por qeveria italiane tha se vende të tjera evropiane duhet të pranojnë një numër më të madh emigrantësh që vijnë nga Afrika. Komisioneri i BE-së për emigrantët, Dimitris Avramopulos ka premtuar më shumë mbështetje financiare për Italinë dhe i kërkoi vendeve të tjera të tregojnë më shumë solidaritet.