Insajderi
Lajme

Iu bastis shtëpia ditë më parë, i dyshuari kërcënon Policinë në Gjakovë nga arratia

Insajderi
20 October 2026 - 16:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Iu bastis shtëpia ditë më parë, i dyshuari kërcënon Policinë në Gjakovë nga arratia
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

E EDITUAR

Muharrem Rexhepi, të cilit ditë më parë i është bastisur shtëpia në Gjakovë, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke kritikuar mënyrën se si Policia e Gjakovës, përkatësisht njësiti Anti-Drogë, ka kryer bastisjen në pronën e tij.

Rexhepi, i cili sipas raportimeve nuk ka qenë i pranishëm gjatë bastisjes dhe ndodhet jashtë Kosovës, ka thënë se nuk kërkon privilegje, por pretendon se gjatë aksionit i është cenuar dinjiteti dhe privatësia.

“Ta dini mirë: në vitin 1998 e lashë Zvicrën dhe erdha me luftu për lirinë e Kosovës. Sot nuk kërkoj privilegje prej askujt, por nuk lejoj askënd me ma njollosë emrin e me ma shkelë dinjitetin”, ka shkruar ai.

Ai ka kritikuar mënyrën e hyrjes së policisë në shtëpinë e tij, duke e krahasuar atë me një ndërhyrje në një ambient kriminal dhe jo në pronën e një personi që, sipas tij, ka rrezikuar jetën për vendin.

Në reagimin e tij, Rexhepi ka ngritur edhe pyetjen se pse, sipas tij, dikush po tenton t’ia njollosë emrin dhe për çfarë arsyeje.

“Frikë nuk i kam askujt! Ju që keni marrë pjesë në atë veprim, duhet me u përgjigjë për veprimet tuaja”, ka deklaruar ai, duke shtuar se pret që faktet dhe provat të flasin.


Ndërkohë, bastisjet në pronat e tij janë kryer më 14 tetor, me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë. Sipas raportimeve për rastin, gjatë kontrolleve në dy lokacione janë sekuestruar armë, municion, një veturë dhe një objekt për të cilin dyshohet se mund të ketë mbetje të substancave narkotike.

Rexhepi nuk ka qenë i pranishëm gjatë bastisjeve. Sipas familjarëve të pranishëm si dëshmitarë, ai ndodhet jashtë Kosovës.

Pas publikimit të artikullit ka reaguar Muharrem Rexhepi


Ky është reagimi i plotë:

KËRKESË PËR SQARIM DHE RISHQYRTIM TË DEKLARATËS SË KONSIDERUAR SI KËRCËNIM

Ju lutem, ma sqaroni se ku qëndron kërcënimi në fjalët e mia. Unë kam kërkuar vetëm sqarim se kush po e njollos emrin tim dhe kush po bën veprime kundër meje. Nuk e kuptoj pse kërkesa ime për të ditur të vërtetën po interpretohet si kërcënim.

Pse po e merrni si kërcënim kërkesën time për sqarim lidhur me redaksinë dhe Insajderin? Unë nuk po kërkoj konflikt me askënd, por po kërkoj të di pse po më ndodhin këto gjëra dhe çfarë u kam bërë unë atyre që po veprojnë kundër meje.

Ju lutem, mos më ngarkoni me akuza të tilla pa e shqyrtuar me kujdes kuptimin e fjalëve të mia dhe qëllimin tim. Unë nuk kam dëshirë të kërcënoj askënd. Dua vetëm që emri dhe dinjiteti im të respektohen dhe që çdo pretendim ndaj meje të vlerësohet drejt.

Ju lutem, ju lus nga zemra, rishqyrtojeni këtë çështje dhe hiqeni cilësimin e fjalëve të mia si kërcënim, nëse nga deklarata e plotë nuk rezulton një kërcënim real. Kërkoj vetëm drejtësi, sqarim dhe trajtim të drejtë.

Nuk e di se çfarë të keqe i kam bërë dikujt që të gjendem në këtë situatë. Nuk dua t’i bëj keq askujt dhe nuk dua konflikt. Dua vetëm ta mbroj emrin tim dhe të kuptoj pse po ndodhin këto gjëra kundër meje.

Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe ju lutem që kërkesën time ta trajtoni me seriozitet dhe pa paragjykime.

Me respekt,

Muharrem Rexhepi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark