Është shumë e lehtë ta injorosh trupin kur je gjithë kohës në lëvizje. Faturat nuk paguhen vetë, shtëpia do punë, e ndonjëherë edhe fëmijët kërkojnë vëmendje pa pushim. Pikërisht për këtë arsye, trupi nis të japë disa sinjale shumë specifike kur ka arritur limitin dhe ka nevojë urgjente për një pushim.
Rraskapitja mendore dhe fizike është bërë aq problem serioz, sa Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka renditur si faktor që ndikon drejtpërdrejt te sëmundjet. Pra, nëse po përjeton disa nga këto shenja, ndoshta është momenti të ngadalësosh ritmin. Edhe sikur vetëm për pak.
Nëse zgjohesh i/e lodhur, kalon ditën i/e lodhur dhe mbyll sytë sërish e lodhur, trupi po të thotë qartë: “Mjaft”.
Stresi dhe rraskapitja ndikojnë drejtpërdrejt te sistemi tretës. Një studim i vitit 2023 zbuloi se njerëzit me rraskapitje të thellë përjetojnë shumë më shpesh simptoma si dhimbje stomaku, tretje të vështirë dhe të përziera.
Kur je vazhdimisht nën stres, sistemi nervor futet në gjendje alarmi. Dhe kur truri është duke mbijetuar, nuk ka energji për t’u fokusuar te gjërat normale të përditshmërisë. Me pak fjalë: nuk je dembel/e. Je i/e mbingarkuar.
Sipas një studimi të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, shumë njerëz raportojnë mungesë totale motivimi dhe lodhje emocionale nga puna. Kjo ndodh veçanërisht te njerëzit që mbajnë shumë përgjegjësi njëkohësisht: punë, familje, financa, fëmijë. Kur trupi dhe mendja arrijnë limitin, shpesh reagimi është mpirja emocionale.
Rraskapitja nuk shfaqet vetëm fizikisht; ajo ndikon edhe në mënyrën si reagon emocionalisht. Nëse po shpërthen për gjëra që zakonisht nuk do të të shqetësonin fare, ndoshta nuk je “tip nervoz”. Thjesht je i/e rraskapitur.
Ankthi kronik sjell edhe simptoma fizike: rrahje zemre të forta, mungesë fryme, imunitet të dobët dhe nivele të larta të hormonit të stresit. Pra po, trupi yt po proteston.
Shpesh, tensioni emocional shndërrohet në dhimbje fizike. Sidomos kur nuk i jep vetes asnjë moment pushimi. Nëse zgjohesh çdo ditë me trupin e tendosur, ndoshta problemi nuk është vetëm pozicioni i gjumit.
Kur rraskapitja shoqërohet me lodhje emocionale, edhe gjërat bazike të kujdesit për veten duken të pamundura. Dhe jo, kujdesi për veten nuk është maska e fytyrës. Është të flesh, të hash dhe të kujdesesh minimalisht për trupin tënd.
Kur je i/e rraskapitur, edhe një dalje për kafe mund të të duket si detyrim. Shpesh fillon të tërhiqesh nga miqtë, sepse nuk ke më energji emocionale për komunikim. Problemi është se izolimi e përkeqëson akoma më shumë gjendjen.
Nëse e sheh veten në disa nga këto pika, ndoshta nuk ke nevojë të “sforcohesh më shumë”. Ndoshta ke nevojë thjesht të ndalosh pak. Trupi yt po ta kërkon këtë gjë prej kohësh.