Lidhur me rastin e djeshëm që tronditi gjithë shqiptarët kudo dhe jo vetëm, ka shkruar edhe tabloidi më i madh në Evropë, BILD.
“Pamje tronditëse nga shtëpia e të moshuarve në Kosovë. Një infermiere godet disa herë një banore të të sëmurë” – shkroi Bild.
Bild potencon se pjesë e stafit thuhet se është edhe personi që ka filmuar klipin e neveritshëm. Gratë qeshin derisa infermierja godet gruan që po qan, vijon e përditshmja gjermane.
“Të paktën dy punonjës të tjerë mund të shihen në video. Pjesë e stafit thuhet se është edhe personi që ka filmuar klipin e neveritshëm. Gratë qeshin derisa një infermiere godet gruan që qan. Prokuroria publike ka nisur hetimet. Të katër gratë janë larguar nga puna, tri prej tyre mësohet se janë arrestuar ndërkohë. Sipas raportimeve të mediave, viktima nuk do të jetojë më në shtëpi. Mësohet se dhëndri e ka marrë të moshuarën nga shtëpia private e të moshuarve” – shkruhej tutje.
Ndryshe, familjarët e kishin vendosur në shtëpinë e pleqve Orenda në Pejë për një kujdesje më të mirë. Por Minire Nura, në atë shtëpi përjetoi ndër ditët më të këqija të jetës së saj.
Infermieret e Orendas e keqtrajtuan, e rrahën e u tallën me të. Ato nuk treguan pikë mëshire, duke harruar se kishin të bënin me një nënë. Nënë të një djali që kishte dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Në videon e cila është bërë virale, shihet infermierja Aurona Pelaj ku për 58 sekonda e godet brutalisht 10 herë të moshuarën.
Dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi që sulmuan viktimën dhe Remzie Kuqi e cila e incizoi ngjarjen, përfunduan në pranga të policisë.