Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, është deklaruar me humor lidhur me mënyrën se si po futet në objektin komunal të Leposaviqit kryetari i kësaj komune, Lulzim Hetemi.
Jabllanoviq për Insajderin tha se po futet në atë objekt sa herë që bie terri dhe që, sipas tij, po rrezikon jetën e policëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it.
“Z. Hetemi besoj se është plotësisht i vetëdijshëm se veprimet e tij dhe hyrja e dhunshme në objekt nuk mund të kalonin pa përgjigje nga opinioni dhe qytetarët dhe, nëse nuk është në dijeni të këtij fakti, atëherë është problem edhe më i madh. Ai hyn dhe del nga ajo ndërtesë si “vampir” gjithmonë pas errësirës dhe në atë ritual rrezikon jetën e qytetarëve, policëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it”, deklaroi politikani serb.
I njëjti kërkoi nga Hetemi që të veprojë njësoj sikurse kryetarët e komunave veriore nga radhët e PDK-së, pra që punët t’i kryejnë larg objekteve komunale, në mënyrë që të shmangen tensionet.
Sipas tij, vendimi i Kurtit që kryetarët të futen në objekte komunale me prezencë të forcave policore, ka dëmtuar edhe imazhin e Policisë së Kosovës tek serbët. /Insajderi.org/