“Jam fajtor”, fjalët e Julian Assange në gjykatë përpara se të lirohej - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    “Jam fajtor”, fjalët e Julian Assange në gjykatë përpara se të lirohej

    Insajderi
    26 June 2024 - 09:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Themeluesi i WikiLeaks u emocionua teksa u dha dënimi përfundimtar, duke i dhënë fund rrugëtimit të tij të jashtëzakonshëm

    “Emri im është Julian Paul Assange”.

    Me këtë, themeluesi i WikiLeaks shqiptoi fjalët e para që gazetarët dhe mbështetësit e mbledhur i kishin dëgjuar prej tij, pasi kishte filluar kapitulli i fundit – dhe ndoshta përfundimtari – i jashtëzakonshëm në betejën e tij ligjore, raporton The Guardian.

    Në një gjykatë me panele druri, rrëzë një kodre të harlisur në bregun e Saipanit, Assange priti tri orë të një seance dëgjimore që do ta shihte atë të deklarohej fajtor për shkeljen e ligjit të spiunazhit të SHBA-së, në një marrëveshje që do ta lejonte atë të ribashkohej me familjen e tij në Australi,.

    Teksa hyri në gjykatë nën një qiell blu flakërues, Assange nuk mori asnjë pyetje nga mediat e shumta – shumë prej të cilëve kishin fluturuar mijëra kilometra drejt këtij vendi të largët amerikan me 40,000 njerëz në Ishujt Mariana Veriore. Njëri pyeti nëse atij i pëlqente më shumë moti në Saipan apo në Londër.

    Kryegjyqtarja Ramona V Manglona hapi procedurën. Ajo theksoi se salla e gjyqit ishte e mbushur në mënyrë të pazakontë dhe i kërkoi Assange të konfirmonte atë që kishte bërë dhe pse po e pranonte fajin.

    Assange u përgjigj se duke punuar si gazetar ai kishte inkurajuar një burim për të ofruar informacion të klasifikuar dhe besonte se amendamenti i parë e mbronte atë aktivitet. Ai tash po pranonte se në fakt ishte një shkelje e aktit të spiunazhit të SHBA-së.

    I pyetur përsëri nëse ai po e pranonte fajin sepse ai është “në fakt fajtor për atë akuzë”, Assange bëri një pauzë të gjatë, përcjell Gazeta Express.

    “Jam” tha ai.

    Ndërsa seanca e paprecedentë vazhdoi, gjyqtarja theksoi se koha e mbajtjes së saj ishte kyçe për rezultatin e saj.

    “Nëse ky rast do të paraqitej para meje diku afër vitit 2012, pa përfitimin e asaj që di tani, se ju keni vuajtur një periudhë burgimi… në dukje një nga objektet më të rënda në Mbretërinë e Bashkuar… nuk do të isha aq e prirur ta pranoja këtë marrëveshje për pranimin e fajësisë para meje”, tha ajo.

    “Por është viti 2024”.

    Manglona deklaroi se do t’i pranonte kushtet e marrëveshjes për pranimin e fajësisë së arritur midis Assange dhe qeverisë së SHBA-së. Assange u ftua të qëndronte para saj dhe ta merrte dënimin e tij, me kohën e vuajtur tashmë në një burgun britanik që do të thotë se ai do të lirohej menjëherë, pa periudhë mbikëqyrjeje.

    “Me këtë deklaratë duket se do të mund të dilni nga kjo sallë gjyqi si një njeri i lirë. Shpresoj se do të rivendoset pak paqe”, tha Manglona.

    Themeluesi i WikiLeaks u shfaq emocional teksa ia tundi kokën gjyqtares, duke pranuar vendimin.

    “Duket se ky rast përfundon me mua këtu në Saipan”, vazhdoi Manglona, ​​duke e pyetur nëse i kuptonte të gjitha detajet e marrëveshjes.

    Assange u përgjigj, me zë pak të ngjirur: “Po.”

    Ai shtrëngoi kravatën dhe mbajti syzet në dorë ndërsa gjyqtarja po ia kumtonte formalitetet e fundit.

    “Me këtë… zoti Assange me sa duket është një ditëlindje e hershme e lumtur për ju”, tha ajo.

    “Shpresoj se do ta filloni jetën tuaj të re në një mënyrë pozitive”.

    Ndërsa Assange përqafoi avokatët e tij, shtrëngoi duart e atyre që e kishin përcjellur dhe firmoste autografe për mbështetësit, ai filloi të përlotet.

    Përpara Paqësorit shkëlqyes, pranë një plazhi ku kotele endacake vraponin mes pemëve, një sagë ligjore 14-vjeçare mori një fund befasues dhe të papritur.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark