×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Jam i lodhur nga kjo punë”, Qeveria Kurti e avancon në shef të KMDK-së zyrtarin që kishte dështuar në menaxhimin e ndërmarrjes

    Insajderi
    20 September 2022 - 15:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Jam i lodhur nga kjo punë, nuk kam mundur t’i arrijë caqet”, kështu shkruante në vitin 2011, në letrën ku e paraqiste dorëheqjen Avni Ramadani, Kryeshef Ekzekutiv i ndërmarrjes “Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë” (KMDK). Por, 11 vjet pas Qeveria Kurti ka vendosur ta avancojë Ramadanin. Të enjten e 14 shtatorit përkrahësi i flaktë i Lëvizjes Vetëvendosje u emërua kryesues i bordit të drejtorëve të po kësaj ndërmarrje, ani pse vet kishte konfirmuar se kishte dështuar me menaxhimin e kompanisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi ju sjell detajet ekskluzive të ditës kur Ramadani e kishte paraqitur dorëheqjen në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve.

    Avni Ramadani duke falënderuar bordin për mbështetjen që i ishte  dhënë deri në atë pikë kërkonte shkarkimin e tij.

    “E falënderoj Bordi për mbështetjen që më ka dhënë, sot para bordit që më ka përzgjedhë kërkoj shkarkimin dhe paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga Kryeshefi Ekzekutiv i KMDK-së, e cila besoj se do më miratohet, me arsyeshmërin se jam i lodhur nga kjo punë, nuk kam mundur ti arrijë caqet që i kam pas plan, Bordi nuk ka qenë i kënaqur me punën time dhe qe sa mbledhje më është diskutuar në votëbesimi”, thoshte ai përcjell Insajderi.

    Kërkesës së tij i ishte përgjigjur kryesuesi i Bordit atëkohë, Asllan Vitaku duke i sugjeruar Ramadanit që të vazhdojë punën në kompani, veçse se si këshilltar.

    “Kjo është kërkesë personale, edhe pse jep dorëheqje unë mendoj se ju duhet të mbeteni në kompani në pozitën e këshilltarit dhe Bordit i mbetet të vendos ushtruesin e detyrës dhe ta shpall konkursin në bazë të konkursit për KE”, potencohet të ketë thënë Vitaku.

    Kërkesa për shkarkim

    Më 29 qershor të vitit 2011, Bordi i KMDK-së pranon dorëheqjen e Ramadanit nga posti i kryeshefit ekzekutiv. Por, pastaj Avni Ramadani ishte bërë “pishman” kërkonte anulim e vendimit dhe rikthimin në vendin e tij të punës.

    Më 21 mars të 2012-ës e paditë Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë.

    Ramadani kërkonte anulimin e vendimit për shkarkimin e tij dhe rikthimin në punë

    “Së bashku me aktvendimin e paditura Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë SHA ka pranuar edhe padinë e paditësit për anulim të vendimit dhe për kthim në punë, dhe ajo e datës 21.12.2011, parashtruar pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë”, thuhet në padinë e siguruar nga Gazeta Insajderi.

    Sipas Ramadanit vendimi i marrë nga Bordi i Drejtorëve të KMDK-së ishte marrë në kundërshtim me dispozitat në fuqi.

    “Në rastin konkret nuk është zbatuar kurrfarë procedure për ndërprerje të marrëdhënies së punës siç parashihet në Ligjin e Punës”, thuhet tutje në padi.

    Ai pretendonte se nuk është paralajmëruar për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga ana e KMDK-së teksa kërkonte nga Gjykata ta aprovojë kërkesën e tij si të bazuar.

    Padia ndaj KMDK-së nga Ramadani

    Ndonëse e pranoi vet dështimin, qeveria e avancon përkrahësin e flaktë të Vetëvendosjes

    Qeveria Kurti, të enjten e 14 shtatorit emëroi Avni Ramadanin, kryesues të Bordit të ndërmarrjes “Kompania për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë”. Ramadani shihet se është tejet i afërt me partinë në pushtet. Lëvizjen Vetëvendosje e Albin Kurtin.

    Kjo mund të shihet nga kërkimet në rrjetet sociale të Ramadanit. Postimin e fundit e ka me datë 18 shtator, ku shihet se ka shpërndarë një fjalim të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Theksojmë se KMDK futet nën petkun e ministrisë që drejtohet nga Rizvanolli.

    Një shkrim tjetër, përkatësisht video, e shpërndarë nga Ramadani me datë 27 gusht tregonte qartazi për simpatinë e tij ndaj kryeministrit Kurti.

    “Krenar me ty o ma i miri jonë”, është mbishkrimin i videos ku shihet Kurti në takimin e fundit me Vuçiqin. Atë ditë kur edhe u arritë marrëveshja për targat.

    Ndërkaq përveç Ramadanit, në bordin e Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave është zgjedhur edhe Mirlinda Ahmeti, Zoge Spahiu, Lindita Toqi, Bashkim Pllana dhe Goran Llaziq. Të gjithë të emëruarit kanë mandat trevjeçar.

    Për emërimin e tij si kryesues të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes “Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë”, Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

    Gazeta e ka pyetur Qeverinë nëse kanë qenë në dijeni për dorëheqjen e ofruar nga vet Ramadani në të kaluarën, si dhe a vlerësojnë që i sapo emëruari mund të shënojë suksese, pasi vet kishte pranuar se ka dështuar me menaxhimin e KMDK-së.

    Poashtu janë pyetur edhe lidhur me padinë që Ramadani i kishte bërë KMDK-së, se a paraqet ndonjë konflikt interesi, por Zyra e Kryeministrit deri në këto momente nuk kanë kthyer përgjigje.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark