Genc Salihu kishte ftuar mbrëmjen e kësaj të shtune në Soiree edhe vëllain e tij, Arbër Salihu i cili po njësoj si ai është një këngëtar i talentuar.
Ata kanë folur për marrëdhënien e tyre dhe dolën të dy në konkluzionin se këngëtar më i mirë në fakt është Arbër.
Vëllezërit Salihu, përpos talentit në muzikë gjithmonë janë konsideruar si artista me stil në paraqitje, por cili prej tyre është më me stil?
Në fakt Genc Salihu nuk e konsideron veten aspak me stil, madje ka zbuluar se kohët e fundit rrobat që vesh ia merr bashkëshortes së tij Kaltrinës dhe nuk i kushton rëndësi pamjes së tij.
“Unë jam krejtësisht pa stil, komplet unë jam idiot, ndërsa Arbëri është e kundërta. Ky është super stil, plus edhe Kaltrina gruaja ime është njësoj, për shembull këto (pantallonat) janë të Kaltrinës, këto (çorapet) janë të Arbërit, kjo (bluza) është e Kaltrinës. Këto (syzet) janë të miat, 5 euro në Ulqin para 10 viteve”, ka treguar Genc Salihu.
Ndër të tjera Genc dhe Arbëri kanë folur edhe për gjërat që nuk pëlqejnë tek njëri-tjetri. Arbër Salihu ka treguar se në fakt Genci nuk i pranon kritikat, ndërsa ky i fundit më shumë sesa një kritikë i dha një këshillë. Sipas Gencit, Arbëri nuk e di vërtet sesa këngëtar i talentuar është dhe nuk duhet të mendojë kaq shumë, por të relaksohet.