Janë bërë 35 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Janë bërë 35 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

    Insajderi
    17 January 2017 - 11:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Janë bërë 35 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. 17 janari i vitit 1982 ishte dita kur u vranë mizorisht dy vëllezërit dhe Kadri Zeka. Atentati mbi ta ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë.

    Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.

    Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.

    Atentati ka ndodhur përderisa drejtuesi i veturës (BMË 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit.

    Në vendin e ngjarjes policia pat gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

    Gazeta gjermane “Der Spiegel” më 25 janar të vitit 1982 ,për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.

    Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime.

    Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë: “Ka qenë UDB-ja”.

    Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën.

    Një polic pati thënë se “e tëra dukej si pas një ekzekutimi”.

    Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”.

    Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite. Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark