Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen kundër vendimit të Gjykatës Speciale pas dënimit të ish-krerëve të UÇK’së.
Ymeri ka paralajmëruar se dhuna që mund të pasojë nga protestat nuk do të ishte e mirëpritur, duke theksuar se një qasje e tillë, sipas saj, nuk i shërben kërkesës për drejtësi.
Ajo ka kërkuar nga PDK-ja, si partia e dytë më e madhe në Kuvend, që të ndikojë në mbarëvajtjen e protestave.
“Dhuna që mund të pasojë nga protestat e fundit nuk do të jetë aspak e mirëpritur për askënd, pasi të gjithë e dimë se ajo nuk sjell rezultatet e kërkuara. Qasja e ndjekur nga protestuesit përmes turmave me bori, shllajfe, bërtima e krisma nuk i shërben qëllimit për drejtësi. Partia Demokratike e Kosovës – PDK duke qenë edhe partia e dytë më e madhe në Kuvend, duhet të riorientojë protestuesit për rend edhe t’ju tregoj që kjo çështje nuk është trend i TikTokut por gjëma më e madhe e shtetit tonë me të cilën duhet të përballemi me maturi edhe të shfrytëzojmë mënyrat institucionale duke filluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës – Skupština Republike Kosova. Në një kohë kur sot pritet një vendim nga Gjykata Kushtetuese, si deputete bëj thirrje për sa më shumë qartësi: si në kërkesat e drejtuara Kuvendit, ashtu edhe në procesin që duhet ndjekur. Kjo qartësi është e domosdoshme para se protesta të marrë çfarëdo kahu e të na kthejë në kriza që ngadalësojnë për muaj e vite vendosjen e fatit të Kosovës dhe historinë e shtetit”, tha ajo.