Humbje e rëndë për Milanin, i cili u mposht 2-0 në Reggio Emilia në fushën e Sassuolos.
Në numrin e sotëm, mediumi italian “Corriere dello Sport” ndalet edhe te paraqitja negative e Ardon Jasharit: “Jashari dështon, një investim për t’u rivlerësuar”.
Në shkrimin e saj, gazeta italiane vijon: “Lojtari zviceran me numrin 30 nuk është treguar në lartësinë e Milanit në këtë sezon të tij të parë me kuqezinjtë. Është ende herët për një gjykim përfundimtar, por sigurisht që viti i debutimit deri tani është për t’u konsideruar negativ, duke nisur që nga ndeshja e fundit.”
Megjithatë, përmendet edhe një precedent që mund të japë shpresë, ai i Sandro Tonalit.
Edhe mesfushori italian në sezonin e tij të parë hasi vështirësi dhe nuk arriti ta shfaqte menjëherë potencialin e tij, përpara se të shpërthente në vitet pasuese.
Për këtë arsye, situata e Jasharit duhet të analizohet me kujdes: gjykimet e shpejta mund të jenë të rrezikshme, por në të njëjtën kohë është e qartë se deri tani kontributi i tij ka qenë nën pritshmëri.
Në një Milan që po kalon një moment të vështirë, edhe paraqitjet individuale si ajo e futbollistit shqiptar nga Maqedonia e Veriut përfundojnë nën lupë.
Klubi kuqezi do të duhet të kuptojë nëse bëhet fjalë për një periudhë përshtatjeje apo për një investim që kërkon reflektim më të thellë për të ardhmen.
Thuajse e gjithë vera e kaluar i kishte shkuar drejtorit sportiv të Milanit, Igli Tare, duke u marrë me transferimin e Ardon Jasharit.