“Jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, duke komentuar tensionet në rritje midis Kosovës dhe Serbisë.
Borrell tha se të dyja palët duhet urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.
Ai tha se 21 nëntori – dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme – nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së i bëri komentet në një konferencë për media në Bruksel, pas një takimi që zhvilluan ministrat e Jashtëm të BE-së për çështje që lidhen me Ballkanin Perëndimor, shkruan Gazeta Insajderi.
Një ditë pas kësaj deklarate, me ftesë të këtij të fundit, kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka udhëtuar për në Bruksel.
Atje do të jetë edhe kryenegaciatori serb Petar Petkoviq. Të dy palët pritet të zhvillojnë negociata për targat, dhe pritet të shihet nëse do të arrihet marrëveshje për këtë çështje, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndryshe, Kurti në dy ditët e ardhshme do të jetë në Gjermani, dhe mbetet të shihet nëse do të tërhiqet para kërkesave të ndërkombëtarëve, apo do ta rri mbrapa vendimit të tij për targat serbe.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për targat. Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për regjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, shkruan Gazeta Insajderi.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.
SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.
Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian./Gazeta Insajderi/