×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Joe Biden dhe sfida e re amerikane në oborrin e Putinit

    Insajderi
    18 November 2020 - 11:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Tracey German

    Reagimi i Rusisë ndaj shpalljes së fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet amerikane, ka qenë shumë i heshtur. Presidenti rus, Vladimir Putin, ende nuk e ka uruar zyrtarisht presidentin e ri. Në anën tjetër, kundërshtari politik i Putinit, Alexei Navalny, nxitoi të ofronte urimet e tij në Twitter, duke vërejtur me ngërdheshje se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë “privilegj i disponueshëm jo për të gjitha vendet.”

    Heshtja e Rusisë dallon dukshëm nga entuziazmi që e kishte kapluar pas fitores së Trumpit më 2016. Kutitë e sheqerit u dekoruan me fytyrën e Trumpit, ndërsa dyqani i Ushtrisë ruse ofroi 10 për qind zbritje për qytetarët amerikanë në ditën e inaugurimit të Trumpit. Lideri i Partisë Liberal-Demokrate të Rusisë, Vladimir Zhirinovsky, u shfaq duke pirë shampanjë me anëtarët e partisë së tij, për të festuar fitoren e Trumpit.

    Heshtja e Putinit nuk është befasuese. Gjatë fushatës zgjedhore, Bideni e përmendi Rusinë si “kërcënimin më të madh” ndaj sigurisë dhe aleancave amerikane. Ai premtoi se do ta mblidhte një samit të demokracive, për t’i bashkuar forcat kundër ngritjes së autoritarizmit nëpër botë.

    Kremlini mund të mos e mirëpresë kahun e politikave të administratës së Bidenit, por qartësia e qëllimit gjithsesi se do të jetë ndryshim i mirëpritur pas katër vjetëve sjelljesh tekanjoze të Trumpit.

    Dy çështje kanë rëndësi të veçantë për ndryshimin që po vjen në Shtëpinë e Bardhë: përkushtimi i Bidenit për të rikthyer demokracinë në qendër të politikës së jashtme amerikane dhe dëshira e tij për të riparuar marrëdhënien e Amerikës me NATO-n duke forcuar aleancën euro-atlantike. Kremlini i sheh të dyja këto si sfida potenciale ndaj sigurisë së vet kombëtare.

    Premtimi i Bidenit për të rikthyer një politikë të jashtme të bazuar në vlerat demokratike perëndimore, do ta ketë shqetësuar Kremlinin. Ky i fundit ka qenë thellësisht dyshues ndaj përpjekjeve të Uashingtonit që prej viteve 1990, për të promovuar demokracinë dhe për të përkrahur përpjekjet për demokratizim nëpër botë.

    Në hulumtimin tim kam parë se Rusia i sheh protestat kundër qeverisë dhe kryengritjet popullore që kërkojnë të përmbysin regjimet, si pjesë të një strategjie më të gjerë të ndryshimeve të regjimit të sponsorizuara nga ShBA-ja, të krijuara qëllimisht për të minuar shtetet rivale. Ngjarjet e tilla, si të ashtuquajturat “revolucione me ngjyrë”, kryengritjet popullore që ndodhën përgjatë hapësirë post-sovjetike në fillim deri në mes të viteve 2000 në vendet si Ukraina dhe Gjeorgjia, shihen si kërcënime të mëdha ndaj sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të regjimit në Rusi. Kremlini beson se Rusia është e ndjeshme ndaj ndërhyrjeve të huaja në çështjet e saj të brendshme, përmes përpjekjeve perëndimore për të promovuar format demokratike të qeverisjes.

    Në muajt e fundit, hapësira post-sovjetike është shkundur nga protestat pro-demokratike dhe kryengritjet popullore në Bjellorusi, në Kirgistan, dhe së fundmi në Gjeorgji, si dhe luftimet në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit lidhur me territorin e kontestuar të Nagorno-Karabakut dhe konfliktin e zgjatur në pjesën lindore të Ukrainës.

    Bjellorusia mund të bëhet pikë e përplasjes mes Uashingtonit dhe Moskës. Vendi ka protesta ditore dhe shtypje të dhunshme policore që prej zgjedhjeve presidenciale në gusht, në të cilat presidenti Alexander Lukshenko shpalli fitoren – përkundër akuzave të përhapura për vjedhje votash. Bideni ka kritikuar heshtjen e Trumpit rreth dhunës së regjimit të Lukashenkos ndaj aktivistëve pro-demokratikë. Ai premtoi se do ta mbështesë popullin e Bjellorusisë dhe se do të përkrahë aspiratat e tyre demokratike dhe do të shtojë sanksionet ndaj regjimit të Lukashenkos.

    Bjellorusia është aleat kyç i Rusisë dhe zotimi i Putinit për mbështetje financiare dhe ushtarake për Lukashenkon e vë Rusinë në mosmarrëveshje me ShBA-në. Vështirë se Kremlini do të qëndrojë pasiv në rast se administrata e Bidenit e shton përkrahjen për grupet e opozitës. Minsku dhe Moska mund të bashkëpunojnë në një përpjekje tjetër për t’i dhënë fund protestave para përurimit të Bidenit në janar 2021, për të parandaluar çfarëdo ndihme amerikane ndaj lëvizjes pro-demokratike.

    Ukraina është një tjetër pikë e mundshme konfrontimi. Bideni është zotuar të shtojë përkrahjen amerikane për vendin, përfshirë furnizimin me armë, ndërkohë që i ka bërë thirrje Rusisë t’i japë fund “agresionit” dhe “okupimit” të Ukrainës.

    Sfida e dytë kryesore për politikën e jashtme ruse ka të bëjë me NATO-n. Moska ka kundërshtuar vazhdimisht shtrirjen globale dhe zgjerimin e NATO-s. Ajo thotë se aleanca është relikt i Luftës së Ftohtë që kërcënon interesat kombëtare ruse.

    Aftësitë, shtrirja globale dhe zgjerimi i NATO-s u identifikuan si rreziku parësor ndaj sigurisë kombëtare ruse, në Doktrinën Ushtarake 2014 të Kremlinit. Strategjia e Sigurisë Kombëtare gjithashtu i referohet disa herë NATO-s, përfshirë përparimeve të saj në infrastrukturën ushtarake buzë kufijve të Rusisë.

    Përgjatë karrierës së tij politike, Bideni ka qenë i zëshëm në përkrahjen e tij për zgjerimin e NATO-s, përfshirë anëtarësinë e Ukrainës. Gjatë fushatës zgjedhore ka qenë shumë i qartë në shprehjen e dëshirës për të ndrequr marrëdhëniet e Amerikës me NATO-n. Mendohet se ka për qëllim të ripërtërijë multilaterizmin dhe të forcojë aleancën e cila është dëmtuar nga zënkat publike gjatë kohës së Trumpit.

    Çarjet e brendshme e të dukshme lidhur me zgjerimin dhe financimin, kanë dëmtuar sigurinë dhe kohezionin e NATO-s. Kundërshtarët, si Rusia, janë të vetëdijshëm se kohezioni – ose mungesa e tij – është pika kryesore e dobët e aleancës. Një aleancë e rigjallëruar dhe e bashkuar euroatlantike, paraqet sfidë të jashtëzakonshme për Moskën e cila do të kundërshtojë çdo përpjekje për të nisur procesin e zgjerimit në shtetet si Gjeorgjia apo Ukraina.

    Rusia dhe fqinjët e saj post-sovjetikë, zor se do të jenë prioritete të politikës së jashtme për administratën në ardhje të Joe Bidenit. Por, disa prej prioriteteve të administratës në ardhje, siç është përforcimi i NATO-s dhe promovimi i demokracisë, janë sfida për Moskën. Mosveprimi i regjimit të Trumpit përgjatë rajonit post-sovjetik, e cila mund të interpretohet nga Moska o si mosinteresim o si pajtim i heshtur, me gjasë do të zëvendësohet nga një qasje më pro-aktive.

    Kjo do të thotë se marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit do të bëhen, me sa duket, edhe më antagoniste dhe më konfrontuese, për sa kohë që ShBA-ja e intensifikon zgjerimin në oborrin e Rusisë. /Burimi: The Conversation/Në shqip nga: sbunker.net/  /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark