×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    “Juve ju është dhënë kontrata”, Ushtria e Kosovës njofton kompaninë me ortak kinez për dhënien e tenderit

    Insajderi
    25 July 2023 - 14:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ushtria e Republikës së Kosovës të hënën ka vendosur që tenderin për pastrimin rrobave e mbulesave t’ia besoj një kompanie ku aksionare është edhe një shtetase kineze. Ministria e Mbrojtjes e ka marrë këtë vendim edhe pasi që është informuar me këtë fakt.

    Gazeta Insajderi

    “Juve ju është dhënë kontrata”, ky është njoftimi që Ministria e Mbrojtjës ka nxjerr të hënën në lidhje me tenderin për pastrimin e rrobave dhe mbulesave për nevojat e ushtrisë së Kosovës.

    Ky njoftim i ka shkuar përmes prokurimit elektronik firmës “Eco Cleaning Corporation sh.pk.”, pronë e Arbër Gashit, po ku 20 përqind të aksioneve i ka edhe shtetasja kineze, Wenyun Yang.

    Insajderi kishte dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes që kur u hapën ofertat për këtë tender, duke e njoftuar edhe për faktin që aksione në këtë kompani ka edhe një qytetare nga Republika Popullore e Kinës, por kjo ministri deri tash nuk ka dhënë përgjigje.

    Qeveria e Kosovës, por edhe vet Ministria e Mbrojtjes haptazi e kanë shprehur aspiratën e tyre për anëtarësim në aleancën më të madhe ushtarake në botë, NATO-n, por që kjo e fundit po ashtu haptazi nuk e ka fshehur që është në garë me Kinën dhe e sheh si rrezik këtë shtet.

    Historiku i tenderit për kompaninë me ortak kinez

    Më 3 mars të këtij viti, Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Mbrojtjes ka nxjerr dokumentin zyrtar ky e njofton kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. se atyre u është dhënë kontrata nga tenderi “Shërbimet e pastrimit të rrobave dhe mbulesave për nevojat e FSK-së”, tender I nisur më 22 shkurt të këtij viti.

    Në këtë kompani që Ministria e Mbrojtjes e shpërbleu me kontratë, dhe të hënën nxorri edhe vendimin e ri,  20 % të aksioneve i mban shtetasja kineze, Wenyun Yang, e lindur në qershor 1990. Sipas të dhënave në Regjistrin e Bizneseve ajo del që kur u themelua kjo kompani, në gusht 2019, ka investuar 80 mijë euro, derisa 320 mijë euro të tjera i ka investuari shtetasi kosovar, Arbër Gashi që mban 80 % të aksioneve në këtë firmë.

    Insajderi ka dërguar pyetje javë më parë në Ministrinë e Mbrojtjes për këtë kontratë dhe faktin që ortak në biznesin që e shpërblyen me kontratë është një shtetase kineze, por të njëjtit nuk kanë pranuar deri tash të komentojnë.

    Nuk kanë pranuar që të komentojnë as për një ankesë që është bërë kundër këtij vendimi për ta shpërblyer, kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. e ku ankuesi ua përmend një sërë shkeljes të ligjit të prokurimit.

    Gazeta Insajderi kishte kontaktuar me kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. dhe ortaku i madh në firmë, Arbër Gashi i pati thënë gazetës se Wenyun Yang është shtetase e Kinës, por me të janë takuar gjatë studimeve në Amerikë.

    “Wenyun Yang është investitorë. Atë e kam takuar në Amerikë dhe kemi vendosur që të dertojmë një biznes në Kosovë. Unë nuk po shoh ndonjë problem këtu”, pati thënë Gashi për Insajderin.

    Edhe pse ortakja e tij në biznes është shtetase kineze, ai kishte treguar se kur ofertoi për tenderin e pastrimit të rrobave e mbulesave të FSK-së, ky institucion nuk i kishte kërkuar ndonjë dokument në lidhje me këtë partnere në biznes.

    “Ajo ka leje qëndrimi të rregullt në Kosovë. Nuk na është kërkuar ndonjë dokument tjetër, pos asaj që janë kërkuar në njoftimin për kontratë”, pati deklaruar Gashi.

    Sipas Gashit, kompania është e regjistruar në Kosovë, por është edhe kompani amerikane. Por, për këtë deklarim ai nuk pati dërguar ndonjë dëshmi që kompania e tij dhe e shtetases kineze, Ëenyun Yang është edhe kompani amerikane.

    Ai i ka thënë Gazetës Insajderi se kjo nuk është hera e parë që e fitojnë këtë tender në FSK.

    “Kjo është hera e dytë që po e fitojmë këtë tender, por edhe herën e parë edhe tash është ankuar një kompani, që e paska këtë tender me vite. Ne kemi qenë me letra në rregull, dhe më të lirë. Ia kemi lënë ligjit të vendos, por në ndërkohë e kemi njoftuar edhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë për këtë rast”, kishte thënë Gashi për Insajderin.

    I pyetur se cila ka qenë përgjigja e Ambasadës Amerikane, ai pati deklaruar se nuk morën përgjigje, pasi që nuk kishte kërkuar diçka nga ta, pos i kishte njoftuar.

    OShP-ja kishte kërkuar rivlerësim, ngriti dyshime për disa fatura

    Në lidhje më këtë tender, me të cilin u shpërblye  “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k., që për pronar ka kosovarin Arbër Gashi dhe shtetasen kineze Ëenyun Yang, në OSHP ishte deponuar në ankesë nga kompania tjetër në garë, “A.L. Dushi Sh.p.k.”.

    Kompania pretendonte se Ministria e Mbrojtës kur mori vendim që ta shpërblente firmën “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k., ka shkelur 4 nene të Ligjit të Prokurimit.

    Dhe ata pretendojnë që kjo firmë nuk i ka plotësuar kriteret e tenderit, por megjithatë u shpërblye. “A.L. Dushi Sh.p.k.”. pretendon se “ECO CLEAN…” u shpërblye edhe pse në dokumente nuk arrin që të e mbush as njërin nga kriteret bazë që është vlera e qarkulluar e shërbimeve që nuk duhej të ishte më pak se 100 mijë euro në tri vitet e fundit.

    “ECO CLEAN…”, sipas ankuesit ka futur në dosje të aplikimit për tender edhe shërbime të tjera që ka kryer për klientë në sektorin privat, e që nuk janë vetëm të pastrimit, siç është kërkuar nga FSK-ja, por edhe shërbime të tjera siç është furnizimi me pije, por këto iu pranuan si referenca nga Ministria e Mbrojtjes.

    Aty janë bërë vërejtje, dhe ngritur madje edhe dyshime se disa nga mjetet, përfshirë këtu edhe një veturë, që janë paraqitur si të kompanisë “ECO CLEAN…”, a janë ende në pronësi të kompanisë në fjalë apo jo, dhe se kjo do të duhej ta diskualifikonte kompaninë nga gara.

    Pavarësisht këtyre vërejtjeve tashmë të bëra publike, kompania ankuese kishte bërë një kërkesë që para se të shkonte me ankesë në OSHP të bëhej edhe një ri-vlerësim i këtij tenderi, por Ministria e mbrojtjes e refuzoi këtë kërkesë dhe e shpërbleu me kontratë kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) kishte vendosur që ankesa është pjesërisht e bazuar. Kërkoi nga Ministria e Mbrojtjes të ri-vlerësohet ky tender edhe një herë.

    OShP-ja në vendim, edhe pse një pjesë të mirë të pretendimeve të palës ankues i hedh poshtë është ndalr gjer e gjatë në kontratën që “Eco Clean …” kishte me biznesin “LeakSide AG”.

    “Sa i përket kontratës nr. 020 me biznesin “Lakeside AG” sh.p.k, sqarojmë se pagesat (qarkullimi bankar) nuk përputhen për shkak se sipas dokumentit “Qarkullimi për periudhën” të lëshuar nga Banka për Biznes në emër të OE të rekomanduar, rezulton se për faturat e lëshuara në emër të biznesit “Lakeside AG” sh.p.k. kishte kryer pagesat një subjekt tjetër me emrin “RKS INVEST AG” Sh.p.k.”, thuhet në vendim

    Pas hulumtimit në faqen zyrtare në ARBK, sipas OShP-së del që biznesi “RKS INVEST AG” Sh.p.k. është etnitet tjetër me numër të biznesit 811286401 që kishte kryer pagesa për biznesin “Lakeside AG” sh.p.k. me numër të biznesit 811284603. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në llogarinë bankare në TEB Bank për 4 pagesa (numri i transaksionit 3298, 2973, 1256 dhe 1232).

    “Konsideroj se AK (Ministria e Mbrojtjes) gjatë rivlerësimit të ofertave duhet që konform nenit 59.2 dhe 72 të LPP-së të kërkoj sqarime shtesë nga OE i rekomanduar për kontratë duke i kërkuar të gjitha faturat të cilat ishin lëshuar në emër të OE “Lakeside AG” sh.p.k. dhe të njëjtat fatura ti verifikon në Administratën Tatimore të Kosovës me qëllim të vërtetimit nëse këto fatura ishin regjistruar si shitje në ATK, po ashtu edhe faturat blerëse nga “Lakeside AG” sh.p.k. ti verifikoj nëse janë regjistruar si blerje, përmes të cilave është furnizuar me shërbime nga OE i rekomanduar. Në rast se faturat janë regjistruar dhe deklaruar në ATK, çështja e pagesave ndërlidhet me obligimet ligjore të ATK-së për çështje tatimore. Për autoritetin kontraktues është e rëndësishme të sigurohet nëse këto fatura janë regjistruar dhe shërbimi ka ndodhur sipas kërkesës së dosjes së tenderit”, thuhet në vendimin e OShP-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark