Mashtrimet dhe shpifjet nuk i funksionojnë më presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, e për këtë arsye ai “ka filluar që të bëjë pazare me kanun”, ka thënë sot lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.
Teksa po mbante fjalim në Konventën e Nismës për Kosovës, Fatmir Limaj ka shfrytëzuar rastin që në mënyrë indirekte të akuzojë presidentin Hashim Thaçi.
“Mashtrimet marrin fund, shpifjet po përfundojnë. Prandaj ata kanë nis e kanë marrë kanunin në dorë që të shkojnë shtëpi për shtëpi që ta bëjnë ndonjë pazar”, ka thënë Limaj gjatë fjalimit të tij në Konventën e NISMA-s.
Duke mos përmendur konkretisht emrin e Thaçit, Limaj i është referuar rastit kur Thaçi i kishte bërë be me 124 pleq Imer Imerit, se nuk kishte dorë në vrasjen e vëllait të tij, aktivistit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri.
Në një bisedë për Insajderin, Imer Imeri kishte thënë se presidenti i vendit “i është larë” duke i bërë be me 124 pleq se nuk ka lidhje me këtë vrasje.
Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
“E kom akuzu gjithnjë…, kam ardhë në përfundim që ai (Thaçi v.j.) ka mujt mu la… I ka ba do thirrje m’i hetu vrasjet e mas luftës, gjatë luftës edhe me rafikimin e Gjykatës Speciale, diçka mund pastrohet”, ka thënë Imeri.
Imeri u zotua se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për të vëllanë të vrarë 18 vjet më parë, ani se tash nuk e akuzon Thaçin më.
Imeri pati treguar se Thaçi është i gatshëm t’i bëjë be se është i pastër.
“Ai më ka thanë që muj me bo be 124 pleq me kanun, që s’kom hak e as hile”, ka treguar Imeri për të shtuar se është bindur se presidenti i vendit nuk është përgjegjës për vrasjen e vëllait të tij.
“Unë kurrë nuk kom thanë që Hashimi ma ka vra vllaun. Kom thanë që e din kush e ka vra. Sipas raportit të KFOR-it para 8 qershorit 2014, SHIK-u është organizatë kriminale, Kadri Veseli drejtor, i raportoj Hashim Thaçit edhe gjithmonë kom mendu që Hashimi duhet me ditë edhe këta e dinë. Po tash njeri me luftu me to nuk po mundet, po duhet me nda dikon, e me marr dikon”, thotë Imeri.
Imeri tash po e akuzon LDK-në që nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e vrasjes së vëllait të tij, por vetëm ka përfituar vota duke u thirrur në emrin e tij.
Sipas tij, vrasja e Haki Imerit është vrasja e parë në Drenicë e motivuar politikisht. /Insajderi.com