Kryeministri Isa Mustafa nga sot është bërë edhe me dy këshilltarë të rinj. Mybera Mustafa dhe Kastriot Halili janë emrat e rinj që i janë bashkuar ekipës së kabinetit Mustafa.
Sipas njoftimit për media, Mybera Mustafa është emëruar në postin e këshilltares politike për çështje të shëndetësisë kurse Kastriot Halili, këshilltar politik për integrime evropiane dhe çështje të sigurisë.
“Mybera Mustafa është aktiviste e njohur politike e cila ka doktoruar në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë. Kastriot Halili është njohës i proceseve integruese evropiane dhe ka punuar në Ministrinë e Integrimit Evropian, si dhe ka kryer studimet evropiane në universitete të njohura ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në njoftim gjithashtu thuhet se nga data 26 shtator, këshilltari i jashtëm për siguri, Edon Myftari, është liruar nga kjo pozitë. /Insajderi.com