×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kallëzimi i zbehtë penal kundër Rozeta Hajdarit

    Insajderi
    15 March 2022 - 11:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë kallëzim penal ndaj ministres së Industrisë, Rozeta Hajdarit, për shkak të mosdeklarimit me kohë të pasurisë.

    Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.

    Drejtori i AKK, Yll Buleshkaj, tha dje se kallëzimin penal e kanë dorëzuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), për zyrtarin në fjalë ka përcjell kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë Buleshkaj, transmeton Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi mëson se kallëzimi penal ndaj Hajdarit është bërë për shkak se e njëjta nuk e ka deklaruar në kohën e paraparë pasurinë e saj, por disa ditë më vonë.

    Procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, ku të gjithë zyrtarët e lartë publikë janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencisë Kundër Korrupsionit fillon zakonisht më 1 mars, dhe përfundon më 31 të po atij muaji, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për kallëzimin penal ndaj saj, ka reaguar mbrëmë edhe ministrja Hajdari.

    “Sot u njoftova nga mediat se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka dorëzuar kallëzim penal kundër meje për gjoja mosdeklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë. Gjatë gjithë kohës si zyrtare publike, unë kam përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë dhe deklarimet përkatëse ndodhen në faqen e AKK-së”, ka shkruar Hajdari në profilin e saj në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

    Sivjet deklarimit të pasurisë do t’i nënshtrohen rreth 4737 zyrtarë të lartë publikë, proces ky që ka nisur në fillim të muajit, dhe do të zgjasë edhe 16 ditë.

    “Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, ri-kujton të gjitha subjektet deklaruese se mos-deklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët publik, konform obligimeve ligjore, detyron Agjencinë kundër Korrupsionit që të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e AKK-së të lëshuar më 11 mars, ku tregohet se 600 zyrtarë publikë e kanë deklaruarë pasurinë deri atë ditë./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark