"Kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë", çfarë deklaroi në Gjykatë Naim Murseli - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë”, çfarë deklaroi në Gjykatë Naim Murseli

    Insajderi
    03 December 2023 - 17:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Naim Murseli dhe avokati i tij Ahmet Ahmeti deklaruan në gjykatë se Murseli nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke thënë se ishte edhe vetë i rrezikuar. Granit Plava dhe avokati i tij nuk kundërshtuan kërkesën e prokurorisë për paraburgim, duke vënë në dukje ndjeshmërinë dhe sigurinë e të dyshuarit. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dhe avokati i tij, Ndec Dodaj e lanë vendimin e paraburgimit në diskrecion të gjykatës

    Naim Murseli, Granit Plava dhe Kreshnik Kollaka u deklaruan sot para gjykatës në seancën dëgjimore lidhur me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit lidhur me dyshimet për vrasjen e Liridona Ademaj Murseli.

    Pas mbajtjes së seancës në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës u morr vendimi nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti për një muaj paraburgim për tre të dyshuarit.

    Granit Plava bashkë me avokatin e tij Skender Gojani nuk e kundërshtuan caktimin e paraburgimit e kërkuar nga Prokuroria, raporton Kallxo.com.

    Sipas vendimit të gjykatës avokati Gojani ka deklaruar në seancë se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe sigurisë së të dyshuarit Plava mbrojtja nuk e kundërshton kërkesën.

    “Duke marrë parasyshë ndjeshmërinë e rastit, sigurinë e jetës së të pandehurit dhe shkallën e rrezikshmërisë ne si mbrojtje në këtë fazë të procedurës nuk jemi kundër kërkesës së prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit.”

    Ndërsa i dyshuari Granit Plava e ka mbështetur atë se çka tha avokati i tij.

    Ndërkaq, mbrojtja e të dyshuarit Kushtrim Kokalla me avokatin me autorizim Ndec Dodaj, e lanë çështjen e paraburgimit në diskrecion të gjykatës.

    Sipas avokatit Dodaj, në seancën e sotme tha se provat e prezantuara nga Prokuroria janë shumë të përgjithsuara si dhe kushtet e numëruara për caktimin e paraburgimit janë të pa argumentuara.

    Këtë qëndrim të avokatit e mbështeti edhe vetë i dyshuari Kokalla.

    Sipas Prokurorisë kjo kërkesë është bazuar në provat e deritanishme ndër të cilat janë CD-të me video inçizime të vendit të ngjarjes dhe fotodokumentacione.

    Në gjykate u deklarua edhe i dyshuari Murseli dhe avokati i tij Ahmet Ahmeti.

    Murseli tha se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte qenë vetë i rrezikuar.

    “Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë” – thuhet se kishte thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës.

    Avokati Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.

    “I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”- kishte thënë avokati Ahmeti.

    Në bazë të kësaj Ahmeti kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë, apo të caktojë një masë alternative.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark