Natasha Kandiq, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka deklaruar për gazetën serbe Danas se ishte pritur që aktakuza kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe përfaqësuesve tjerë të lartë të UÇK do të konfirmohet.
“Është e sigurt që aktakuza nuk do të publikohet para daljes së parë të Thaçit para gjykatës. Mbetet të shihet se cilat veprime dhe viktima janë të mbuluara nga aktakuza. Ndoshta është në pyetje një ndërmarrje e përbashkët kriminale, të cilën publiku në Kosovë do ta interpretojë si një akuzë kundër UÇK-së, dhe kjo do të krijojë probleme. Sa i përket viktimave, ka indikacione serioze se prokuroria, për shkak të mungesës së provave të besueshme, nuk u mor me “Shtëpinë e Verdhë” dhe “heqjen e organeve njerëzore”, por kjo sigurisht do të hapë tema të ndaluara në Kosovë – vrasjet e shqiptarëve, romëve dhe serbëve dhe gjykata do të vjen deri te përfundimet të cilat do të çmitizojnë rrugën nga urdhri deri në kryerjen e krimit”, pretendon Kandiq.
Sipas saj, “pothuajse asgjë nuk dihet dhe nuk flitet në Kosovë për kampet në Lapusnik, burgun në Jabllanicë, Drenovac, megjithëse një numër i madh i fakteve u vërtetuan në gjykimet kundër Haradinajt dhe Limajt, dhe lirimi i tyre u interpretua si lirim nga përgjegjësia e të gjithë anëtarëve të UÇK-së. Sidoqoftë, këto aktakuza nuk i sjellin lehtësim për Serbinë dhe institucioneve të saj. Debati në parlamentin e Kosovës, i cili zgjati dy ditë, u përqëndrua në varret masive sekrete që Serbia po fsheh. Në lidhje me gjykimet e Thaçit dhe komandantëve të tjerë të UÇK-së, Serbia do të duhet të përgjigjet shumë shpejt se ku janë trupat e shqiptarëve të vrarë në Beleg, ku janë trupat e të vrarëve në fshatin Kralan, trupat e të vrarëve në Izbicë. Prokuroria e Tribunalit të Hagës vërtetoi se në të gjitha këto vende të përmendura, ishin të pranishme njësitet paramilitare serbe, të Policisë së Jugosllavisë dhe Ushtrisë së Jugosllavisë, por ende nuk ka vullnet politik në Serbi dhe Prokuroria nuk është politikisht e lirë të zbatojë ligjin dhe të ndjekë gjeneralët të cilët pushteti serb i konsideron heronj – thekson Natasha Kandiq./Insajderi.org.