Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Obiliq, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.
Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur sot rreth orës 12:30, në rrugën “Fejzullah Preniqi” në Obiliq.
Arrestimi është realizuar nga hetuesit policorë të Stacionit Policor në Obiliq, pas reagimit të shpejtë të sektorit të hetimeve, i cili ka rezultuar me identifikimin dhe ndalimin e personit të dyshuar.
Gjatë veprimeve policore, të dyshuarit i është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit AK-47.
Personi i dyshuar:
“– Sh.P., mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, me vendimin e prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, për veprat Kanosje si dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Aktualisht, hetuesit policorë po vazhdojnë punën për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të këtij rasti.
