Katër persona janë arrestuar pasi autoritetet portugeze kanë ndaluar një nëndetëse të përdorur për trafik droge (“narco-sub”), e cila transportonte mbi 1.7 tonë kokainë në mes të Oqeanit Atlantik.
Anija gjysmë-nëndetëse ishte nisur drejt Gadishullit Iberik dhe u sekuestrua gjatë ditëve të fundit, sipas autoriteteve, raporton BBC.
Pamjet tregojnë momentin kur policia dhe marina portugeze e rrethojnë mjetin, e hipin në bord, konfiskojnë lëndën narkotike të klasës A dhe arrestojnë katër anëtarët e ekuipazhit, të cilët raportohet se janë me origjinë nga Amerika e Jugut, përcjell Insajderi.
Të dyshuarit, dy ekuadorianë, një venezuelian dhe një kolumbian, u dërguan në paraburgim pas paraqitjes së tyre në gjykatë në ishujt Azore të martën, njoftoi policia.
Vítor Ananias, shefi i njësisë portugeze për luftimin e trafikut të drogës, tha në një konferencë për media se kombësitë e ndryshme të të arrestuarve tregojnë se organizata që qëndron pas tyre nuk është e bazuar vetëm në një shtet.
Qendra për Analizë dhe Operacione Detare me seli në Lisbonë (MAOC) kishte marrë informacione ditët e fundit se një organizatë kriminale ishte në procesin e dërgimit të një nëndetëseje të mbushur me kokainë drejt Evropës.
Pak ditë më vonë, një anije portugeze arriti të gjurmonte mjetin rreth 1,850 kilometra larg bregut të Lisbonës, në një operacion të mbështetur nga Agjencia Kombëtare Britanike e Krimit (NCA) dhe Administrata Amerikane e Luftës kundër Drogës (DEA).
Pas sekuestrimit të anijes, marina njoftoi se ajo nuk mund të tërhiqej drejt bregut për shkak të motit të keq dhe ndërtimit të brishtë të saj, ndaj më vonë ajo u fundos në det të hapur. /Insajderi.org/