Insajderi
Lajme

Kapi BQK’në duke emëruar zv/guvernator këshilltarin e shokun e tij, Kurti tallet pak me “pavarësinë” e këtij institucioni

Insajderi
16 February 2026 - 15:10
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kapi BQK’në duke emëruar zv/guvernator këshilltarin e shokun e tij, Kurti tallet pak me “pavarësinë” e këtij institucioni
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri Albin Kurti ka tentuar të ironizojë me pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës, duke deklaruar se vizita e tij e fundit, ajo e sotshmja ishte e para në atë ndërtesë, ndonëse është në mandatin e tretë. Ai e përdori këtë si “dëshmi” se qeveria nuk ndërhyn në këtë institucion, por faktet tregojnë se ndikimi i tij është shtrirë përmes njerëzve të afërt, shkruan Insajderi.

“Unë jam për herë të parë këtu, në këtë ndërtesë nuk kam qenë asnjëherë më herët, ndonëse jam për herë të tretë kryeministër, dhe merreni këtë si dëshmi të sforcuar që Qeveria e Republikës nuk i ndërhyn Bankës Qendrore si institucion i pavarur i shtetit”, deklaroi ai sot teksa po merrte pjesë në ekspozitën “Paraja rrëfen” e organizuar nga ky institucion financiar.

Në janar të vitit 2024, ish-këshilltari i tij dhe miku i afërt, Milot Cakaj, u emërua Zëvendësguvernator i BQK-së.

Edhe pse u prezantua si proces meritor, kalimi i tij direkt nga zyra e kryeministrit në bordin ekzekutiv të bankës ngre dyshime të mëdha për kapjen e institucionit.

“Zëvendësguvernatorët e emëruar janë Nesrin Shileku – Shala dhe Milot Cakaj, të cilët do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme. Të tre zëvendësguvernatorët së bashku me Guvernatorin përbëjnë Bordin Ekzekutiv, vendimet e të cilit janë kolegjiale”, thuhej në njofitmin e BQK-së.

Përveç tij, në krye të Bordit të BQK-së është vendosur Bashkim Nurboja, i cili ka një histori të gjatë politike me Vetëvendosjen si kandidat për kryetar komune, kandidat për deputet dhe ish-zëvendësministër në Qeverinë Kurti 1.

Që Kurti fizikisht s’ka qenë në BQK deri sot është fakt, ashtu siç është fakt edhe ndikimi që ai ka shtrirë përmes njerëzve të tij në institucionin më të rëndësishëm financiar në vend./Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark