Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të kthejë në rivendosje çështjen ndaj tre shtetasve shqiptarë, të kapur me rreth 1 milion euro në kufi, të cilët dyshohen për veprën penale të shpëlarjes së parave.
Sipas njoftimit zyrtar, Supremja ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., duke anuluar aktvendimin e mëhershëm të Gjykatës së Apelit dhe duke e rikthyer rastin për rishqyrtim në të njëjtën gjykatë.
Rasti lidhet me dyshimet për shpëlarje parash, në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Njoftimi i plotë:
Anulohet vendimi për paraburgim në rastin e “1 milionëshit”, çështja kthehet në rivendosje
Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., për veprën penale shpërlarja e parave nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe nenin 56 paragrafi 1 pika 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ka marrë vendim lidhur me ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve.
Duke vendosur mbi ankesat kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN.1.S.nr.68/2026 të datës 18 mars 2026, në seancën e kolegjit të mbajtur më 30 mars 2026, Gjykata Supreme ka vendosur të aprovojë ankesat e mbrojtësve të të pandehurve, të anulojë aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ta kthejë në rivendosje, në të njëjtën gjykatë.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e datës 9 mars 2026, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Kosovës, më 18 mars 2026, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kishte ndryshuar këtë vendim duke u caktuar të pandehurve masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Kundër këtij vendimi, mbrojtësit e të pandehurve paraqitën ankesa, duke kundërshtuar ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e paraburgimit.
Gjykata Supreme vlerësoi se ankesat janë të bazuara dhe konstatoi se aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, shkalla e dytë nuk ka bërë ndërlidhjen e qartë ndërmjet provave dhe veprimeve të të pandehurve.
Gjykata Supreme thekson se ekzistimi i dyshimit të bazuar është kusht themelor për caktimin e paraburgimit, në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.