Komuna e Prishtinës javë më parë ka njoftuar lokalet në sektorin e gastronomisë se me Rregulloren e re duhet të pajisen me certifikatë që përcakton orarin e punës dhe decibelët e lejuar të zhurmës. Afati për aplikim u mbyll me 13 mars, shkruan Insajderi.
Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës kanë thënë për Insajderin se për furnizim me pajisje për matjen e nivelit të zhurmës kanë aplikuar 156 biznese.
“Online kanë aplikuar 101 ndërsa fizikisht 55. Të gjitha aplikacionet janë shqyrtuar, OE në bazë të listës së aplikuesve është duke i verifikuar subjektet se për nga sa pajisje kanë nevojë; 11 subjekte afariste kanë realizuar pagesën për furnizim me pajisje; 6 subjekte afariste janë furnizuar me pajisje , të cilat së shpejti do të marrin certifikatën, në të cilën përcaktohet orari i punës dhe niveli i decibelëve të lejuar sipas vlerave të përcaktuara në shtojcën e rregullores në fuqi“, thuhet në përgjigje.
Ndërsa nga Drejtoria e Inspekcionit thanë se deri me tani nuk është shqiptuar asnjë dënim për ndonjë biznes.
“Deri me tani nuk janë shqiptuar dënime“, thuhet në përgjigje.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu pak ditë më parë ka njoftuar se bizneset mund të dënohen me nga 3 mijë euro deri në 5 mijë euro nëse nuk aplikojnë për këtë pajisje.
“Bizneset të cilat nuk kanë aplikuar dhe rrjedhimisht nuk janë të pajisura me certifikatë mund të dënohen me gjobat e përcaktuara sipas rregullores në fuqi nga 3.000 – 5.000 euro“, ka thënë Sahatçiu.