×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kaq i kushtoi udhëtimi për në Berlin kryeministrit Albin Kurtit (Dokument)

    Insajderi
    27 May 2022 - 18:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Albin Kurti më 4 maj të këtij viti udhëtoi për në Berlin për ta takuar kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz. Afro 400 euro nga buxheti i shtetit u shpenzuan vetëm për biletat e udhëtimit në kryeqytetin e Gjermanisë për të parin e qeverisë.

    Faturat e shpenzimeve të realizuara nga shefi i ekzekutivit të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi përmes Qasjes në Dokumente Zyrtare, tregojnë se shpenzimet për akomodim, dreka dhe darka nuk ka pasur, pasi këto shpenzime i kishte mbuluar nikoqiri i tij, Scholz.

    “Në lidhje me kërkesën tuaj për Qasje në Dokumente Publike, ju njoftojmë se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Berlin, nuk ka pasur shpenzime të tjera përveç asaj për biletë të aeroplanit. Pra, shpenzimet e akomodimit, janë mbuluar nga organizatori”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së Kryeministrit dhënë Insajderit.

    Kryeministri Kurti, gjatë udhëtimit për në Berlin shpenzoi vetëm 499 euro e 71 cent për dy bileta avioni vajtje-ardhje, shkruan Insajderi.

    Për një avio-biletë të udhëtimit, Kurti pagoi 257.35 euro, ndërsa bileta e kthimit i kushtoi 142.24 euro apo 115 euro më pak se bileta e vajtjes.

    Siç dihet, Kurti që nga marrja e mandatit të qeverisë nuk merr fare mëditje për udhëtimet e tij zyrtare.

    Vizita në Berlin – Darka me Aleksandar Vuçiq dhe Miroslav Lajçak

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte udhëtuar për në Berlin të mërkurën e 4 majit, për një takim bilateral me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz ku do të flasnin mbi zhvillimet e mëtejshme për statusin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës që lidhet ngushtë me ofrimin e këtij vendi me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

    Pos Kurtit, kancelari gjerman priti edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse ndaras.

    Ndërkohë, në Berlin atë ditë zbarkon edhe emisari evropian për dialogun kosovaro-serb, Miroslav Lajçak.

    Ai do t’i takonte në mbrëmje Kurtin dhe Vuçiqin.

    Derisa askush nuk e priste Kurti u ulë në të njëjtë tavolinë me Vuçiqin në një darkë joformale të organizuar nga Lajçak.

    Darkë kjo e cila ‘çmendi’ rrjetin me komente nga analistët kosovarë e deputetë të opozitës.

    Por, i pari i qeverisë që dikur thoshte se nuk bëhet dialog pa ia kërkuar Serbisë borxhet, në mbrëmjen e 4 majit tha se pavarësisht se “a ka darkë apo jo unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem”.

    “Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj por në të njëjtën kohë edhe me krenari për këtë përgjegjësi që më është besuar”, kishte thënë i pari i qeverisë./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark