Jadon Sancho pritet të largohet nga Manchester United si lojtar i lirë këtë verë, ndërsa e ardhmja e tij mund të vazhdojë sërish në Premier League, ku katër klube angleze kanë shprehur interes për shërbimet e tij.
Pas një periudhe pesëvjeçare zhgënjyese në “Old Trafford”, Sancho do të ndahet me “Djajtë e Kuq” në fund të kontratës së tij në qershor. Sulmuesi anglez u transferua nga Borussia Dortmund në vitin 2021 për rreth 73 milionë funte, por nuk arriti asnjëherë të përmbushte pritshmëritë e mëdha.
Gjatë aventurës së tij me United, ai regjistroi vetëm 83 paraqitje, duke realizuar 12 gola dhe 6 asistime. Një pjesë e madhe e kësaj periudhe u karakterizua nga huazime te Borussia Dortmund, Chelsea dhe Aston Villa.
Sipas raportimeve, Sancho dëshiron të qëndrojë te Aston Villa, ku kaloi një sezon relativisht pozitiv nën drejtimin e trajnerit Unai Emery. Ai u paraqit në 39 ndeshje, duke kontribuar me 1 gol dhe 3 asistime.
“Janë shokët e skuadrës dhe trajneri që më kanë dhënë besim. Ndihem mirë këtu,” deklaroi së fundmi Sancho për TNT Sports.
Aston Villa thuhet se po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje me kosto të ulët sapo lojtari të mbetet pa kontratë.
Megjithatë, Villa nuk është klubi i vetëm i interesuar për 25-vjeçarin. Bournemouth dhe Crystal Palace po monitorojnë nga afër situatën e tij, ndërsa Brentford ka bërë tashmë kontaktet e para për një transferim të mundshëm.
Një nga faktorët vendimtarë për të ardhmen e Sanchos mbetet paga e tij e lartë. Në kontratën aktuale me Manchester United, ai fiton rreth 200 mijë funte në javë, ose më shumë se 10 milionë funte në sezon.
Edhe pse Aston Villa do të luajë në Ligën e Kampionëve, drejtuesit e klubit pritet të jenë të kujdesshëm me strukturën e pagave për një lojtar që nuk konsiderohet titullar i padiskutueshëm.
E ardhmja e Jadon Sanchos mbetet ende e hapur, por një rikthim i plotë në Premier League duket gjithnjë e më pranë.