Qendra profesionale kundër ekstremizmit, e cila vepron në kuadrin e Forcave Ushtarake të Zvicrës, gjatë vitit të kaluar ka marrë 50 njoftime për shfaqje ekstremizmi brenda ushtrisë, shkruan srf.ch.
Ky numër është rreth 50 për qind më i madh se ai i vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 34 njoftime të tilla, që përfaqësonte mesataren nga viti 2012.
Rreth gjysma e rasteve të paraqitura gjatë vitit 2016 ka pasur të bënte me ekstremizmin e djathtë. Ndërsa ekstremizmit islamik, gjegjësisht xhihadizmit i përkisnin një e treta e rasteve.
Këtu bëhet fjalë në të shumtën e rasteve për ushtar të veçantë, të cilët dyshohet të jenë radikalizuar, transmeton albinfo.ch.
Nga këta, rreth dhjetë persona janë kontrolluar në mënyrë më të detajuar. Gjashtë ushtarëve nuk u është ofruar më shërbimi në ushtri ndërsa në katër raste u janë marrë armët.