
Qeveria e Kosovës vazhdon të mos jetë transparente sa i përket publikimit të dokumenteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me prokurimin publik dhe të shpenzimeve buxhetore.
Kështu thuhet në një raport të Institutit Demokratik të Kosovës të publikuar të mërkurën gjatë mbajtjes së tryezës së diskutimit me temën “Indeksi i Transparencës në Prokurimin Publik për Kabinetin Qeveritar të Kosovës”.
E gjetur kryesore nga KDI është se transparenca e Qeverisë së Kosovës në prokurim për vitin 2015, rezulton të jetë pa progres, raporton Insajderi.
‘’Nuk vërehet një trend pozitiv i rritjes së transparencës së dokumenteve të publikuara nga Kabineti Qeveritar që kanë të bëjnë më prokurimin publik. Shpresojmë që prokurimi elektronik do të ndryshojë këtë gjendje”, ka thënë Visar Sutaj nga KDI.
Në anën tjetër, Burim Ejupi nga organizata INDEP, duke folur për trendet e transparencës në nivelin qendror tha se transparenca qeveritare është e lartë për çështje të vogla kurse ajo mungon kur është fjala për kontrata madhore sikurse ajo e autostradës apo termocentralit.
‘’Kanë kaluar 4 ose 5 vite dhe ende nuk është publikuar kontrata e autostradës së kombit Ibrahim Rugova. Paraja më e madhe që është shpenzuar nga shteti janë pikërisht për autostradat Ibrahim Rugova e Arbër Xhaferi. Kemi dëshirë që si taksapagues të dimë së paraja është shpenzuar në mënyrë të drejtë’’, ka thënë Ejupi.
Ministritë më transparente në prokurim sipas raportit të KDI-së janë treguar ajo e Financave, e Administratës Publike, FSK-së, e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Integrimit Evropian.
Kategori tjetër që vazhdon të jetë jo-transaparente sipas KDI-së për sa i përket publikimeve janë ankandet publike.
Indeksi i Transparencës është produkt matës përmes së cilit KDI synon të bëjë përgjegjëse dikasterët qeveritarë për transparencë në shpenzimin e parasë publike dhe të matë progresin në këtë fushë nga viti në vit./Insajderi.com