“Tashmë kur i ftohti ka filluar, adaptimi i një sërë masash për kursim të energjisë elektrike, nuk është vetëm domosdoshmëri, por është edhe përgjegjësi sociale.” – KEDS
Frika në mos po kthehen kufizimet me energji elektrike, bashkë me të edhe zhurma e padurueshme e gjeneratorëve, nuk duhet të bëhen pjesë e diskursit social, por duhet të zëvendësohen me ndryshimin e rutinës së përgjegjshme ditore karshi shfrytëzimit të energjisë elektrike.
Rikthimin e krizës energjetike te ne nuk duhet ta shikojmë ekskluzivisht si imponim nga një gjendje gjeopolitike përtej kufijve tanë, porse si nevojë e një intervenimi individual për të mirën e vetes dhe atë kolektive. Edhe shpallja e gjendjes emergjente, bashkë me të edhe thirrjet për kursim, nga ana e autoriteteve tona, kanë ardhur si rezultat i kësaj krize energjetike.
Rrjedhimisht, të mos heqim dorë për kursim të energjisë elektrike është kryefjala.
Udhëzimet që kanë dalë nga KEDS për shfrytëzimin e matur të energjisë elektrike janë zgjeruar edhe përtej tij. Fushata vullnetare e kompanisë “Karrota”, si një përpjekje individuale për qëllim të mirë kolektiv, erdhi si paralajmërim i një krize të madhe energjetike që po na pret këtë dimër.
Zhurma e padurueshme e gjeneratorëve nuk ka për qëllim ndjelljen e frikës, veçse të përjetuar në praktikë, por ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen aktive të shoqërisë sonë për kursim të gjithmbarshëm të energjisë elektrike.
Duke e ditur rëndësinë e ofrimit të ideve individuale e kreative për kursim të energjisë elektrike, KEDS mirëpret krijimin e aleancave të tilla me qëllim të bashkërendimit të përpjekjeve për ndërgjegjësimin e masës së gjerë për pjesëmarrje aktive në kursim.
Të kursejmë bashkë që të mos e kalojmë dimrin me këtë këngë.