Kompania “Lab Oil” SH.P.K., në pronësi të Raif Gashit, e cila më herët ishte përfshirë në një rast për shkelje të rregullave për çmimet e derivateve të naftës, ka fituar një kontratë prej 383 mijë eurosh nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), shkruan Insajderi.
Kontrata për furnizim me mazut është nënshkruar më 28 shtator 2026, përmes një procedure të negociuar pa publikim, ndërsa vlera e saj është 383,404.63 euro.
“Mazuti është lënda djegëse që nevojitet për startim të njësive në TC-B dhe për mbajtjen e njësive në operim kur paraqiten probleme në pajisjet e ndryshme si mullinjtë, ventilatorët, skara, kracer etj., për te mbajtur stabil procesin e djegies dhe vatrën e kaldajës“, thuhet në njoftim.

Sipas dosjes së tenderit KEK-u ka paraparë furnizimin me 500 tonë mazut.
Procedura është zhvilluar si procedurë e negociuar pa publikim, ndërsa furnizimi duhet të bëhet në TC “Kosova B”
Furnizimi është paraparë të realizohet në mënyrë sukcesive. Së paku 250 tonë duhet të liferohen brenda 10 ditësh nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa 250 tonët e tjerë brenda 15 ditësh nga lëshimi i fletëporosisë nga KEK-u.
Çmimi i mazutit, sipas kushteve të tenderit, nuk është domosdoshmërisht një shumë fikse gjatë gjithë periudhës së kontratës. Dosja parasheh që çmimi të rishikohet duke u bazuar në CIF Mediterranean, sipas çmimit të publikuar nga Platts European Marketscan, si dhe kursit euro-dollar të Bankës Qendrore Evropiane.
Kontrata e re me KEK-un vjen pasi kompania “Lab Oil” ishte përfshirë në një rast të evidentuar nga inspektorët e tregut lidhur me çmimet e derivateve.
Sipas procesverbalit të inspektorëve të tregut të Ministrisë së Tregtisë, të cilët në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës kishin inspektuar kompaninë më 24 mars 2026, “Lab Oil” kishte shitur derivate të naftës me çmime më të larta se marzha e lejuar nga shteti.
Pas këtij inspektimi ishte konstatuar se kompania kishte shkelur Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, duke mos respektuar kufizimet e përcaktuara për çmimet e dizelit dhe benzinës.
Për këtë rast, më 8 maj 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kishte iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj “Lab Oil” në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni për Kundërvajtje në Graçanicë.
Në arsyetimin e Inspektoratit thuhet se, bazuar në procesverbalin e inspektimit dhe raportin e ATK-së, ishte konstatuar se operatori ekonomik “Lab Oil” kishte tejkaluar marzhën tregtare maksimale të lejuar për shitje me pakicë për produktet dizel dhe benzinë dhe nuk kishte respektuar vendimin për rregullimin e çmimeve.
Sipas Inspektoratit, veprimi ishte në kundërshtim me nenin 15 të Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, ndërsa shkelja sanksionohet me nenin 19 të të njëjtit ligj.
Ligji parasheh që personi juridik që nuk respekton kufizimin e çmimit të produkteve të naftës mund të dënohet me gjobë prej 2 mijë deri në 6 mijë euro./insajderi.org/