Këngëtari Sinan Vllasaliu në bankën e të akuzuarve, dëmtoi shtetin duke iu shmangur tatimit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Showbiz
  • Insajderi / Insajderi

    Këngëtari Sinan Vllasaliu në bankën e të akuzuarve, dëmtoi shtetin duke iu shmangur tatimit

    Insajderi
    18 November 2022 - 15:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këngëtari Sinan Vllasaliu është deklaruar të premten i pafajshëm për akuzën se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.

    “Jo, i pafajshëm”, ka thënë Vllasaliu pasi gjykimi ka filluar rishtazi.

    Deklarimi i Vllasaliut është bërë pasi prokurorja Elza Bajrami e ka lexuar aktakuzën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësja e rastit Naime Krasniqi-Jashanica ka njoftuar se brenda 30 ditëve i akuzuari mund të paraqesë kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

    Paraprakisht, gjykatësja Krasniqi-Jashanica ka thënë se gjykimi fillon rishtazi pasi është ndërruar gjyqtari i çështjes si dhe kanë kaluar më shumë se tre muaj nga seanca e 5 gushtit 2022. Më herët këtë lëndë e ka trajtuar gjykatësi Ngadhnjim Arrni.

    Po ashtu, për shkak se ky rast filloi rishtazi, mbrojtësi i të akuzuarit Vllasaliu, avokati Florent Latifaj ka njoftuar se heqin dorë nga marrëveshja për pranim të fajësisë.

    Pasi që palët hoqën dorë nga mbajtja e shqyrtimit të dytë, kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave do të paraqiten me shkrim.

    Edhe në seancën fillestare të mbajtur më 5 gusht 2022 i akuzuari Vllasaliu ishte deklaruar i pafajshëm.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

    Aktakuza thotë, se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, i njëjti nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

    Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

    Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.  /BetimipërDrejtësi

    Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark