Këngëtarja e njohur shqiptare, Flaka Krelani, ka tash e sa kohë që është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo po qëndron në New York me dëshirën për të prekur ëndrrën amerikane, për të realizuar një karrierë ndërkombëtare atje.
Dhe fillimet duken të mira për këngëtaren nga Gjakova, e cila ka përfunduar së fundmi në kopertinën e revistës së famshme njujorkeze, “My New York”.
Ajo ka pozuar në ngjyrat bardhë e zi, ndërsa është dukur mjaft tërheqëse në këtë paraqitje të saj.
“Miq! Muajin tjetër do të kemi tri numra të revistës. Kopertina e një numri do të zbukurohet me një këngëtare të mrekullueshme”, ka shkruar faqja zyrtare e “My New York” në Instagram.
Këngëtarja shqiptare do të jetë pjesë e edicionit të muajit maj të kësaj reviste, ku ka bërë një rrëfim ekskluziv mbi jetën dhe karrierën e saj.
Flaka përndryshe ka lënë prapa një karrierë shumë të suksesshme në Kosovë, si interpretuese kryesisht e muzikës ‘rock’.