×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Keqpërdorimet në FSSH” – Sinjalizuesi thotë se i denoncoi në Prokurori, këta të fundit po heshtin

    Insajderi
    26 June 2022 - 20:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sinjalizuesi, Alban Pozhegu ka 4 vite që është duke pritur një përgjigje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për denoncimet që ka bërë për keqpërdorimet që janë bërë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

    Pozhegu ka treguar në këtë episod të InDoks se çka denoncoi në Prokurori. Çka iu ofroi atyre si prova. Krejt këto dokumente i ka ndarë edhe me InDoks.

    Në këtë intervistë përmend rast konkret se si personi që dikur nënshkroi tender me Fondin, u ngjit brenda këtij institucioni deri në zyrtar. Zyrtar bash për tenderët.

    “Ne e kemi pasur një kontratë për mirëmbajtje e objektit të Fondit për Sigurime Shëndetësore ka qenë një kompani, të cilin kontratën e ka nënshkru Artan Leka, Artan Leka si e ka pasur autorizimin për nënshkrim kontrate Artan Leka, ai e ka nënshkru kontratën për mirëmbajtjen e objektit të FSHS-së tash pas 6-8 muajve ai punësohet në Fond për Sigurime Shëndetësore si shef i logjistikës dhe si shef ai nënshkruan, jep urdhëresa për pagesë, nënshkruan pagesa për kompaninë e vet që e ka nënshkru kontratën, bën specifikime teknike për publikimin e tenderëve për mirëmbajtje të objektit e publikojnë njëherë tenderin nuk mundet me ia rregullu firmës të vet e anulojnë, e publikojnë herën e dytë fatmirësisht ia dalin dhe ja japin kompanisë së vet dhe ai vazhdon me atë që me i jap vetes tenderin e me i nënshkru  pagesat… ai në ditën kur po folim ai është caktu si shefi i prokurimit në Fondin për Sigurime Shëndetësore, që ka nënshkru kontratë për atë institucion ku punon e pastaj i kryen të gjitha punët për vete i ka kry deri ditën e sotme”, tha ai për InDoks.

    Kjo intervistë për InDoks, nuk është as e para e tij, ku ai shpalos krejt dokumentet që ka deponuar në Prokurori. Në së paku një rast tjetër ai kishte dhënë kështu intervistë të gjatë. Nuk iu transmetua kurrë. A u shpërblye dikush nga ajo media që nuk e transmetoi?

    “Kallëzimi i parë penale është i bërë në fillim të vitit 2018-të, në vitin 2018 është kry edhe hetimi për kallëzim penal ku ka kam dhënë deklaratë e për tjerët nuk e di, është i kryer edhe është i dërguar në prokurori, qe 4 vite lënda bllokohet…aty duhet me pyet prokurorinë edhe duhet me i pyet Fatmir Plakiqin që Fatmir Plakiqi i ka blloku gazetarët, mediat, kjo është hera e 4 që dha intervistë njëherë është dal intervista jem u dal edhe e përgëzojë për gëzimin që e ka pasur gazetari qysh do që është dal e përgëzojë se ka pasur guxim për 2-3 herët tjera ata e dinë, nuk po du me jep emra edhe kam fakte që ksuh e ka nal dhe pse e ka nal. Po ka marrë kapak shpërblime…operacione, kanë marrë shërbime që ju kanë pagu trajtimet jashtë vendit thua ato para janë të Fatmir Plakiqit, skanë qenë, ato para janë të dedikume për pacientë të Kosovës”, potencoi Pozhegu.

    InDoks ka kërkuar nga drejtuesi i Fondit, Fatmir Plakiqi, ose dikush nga Fondi që te japin intervistë para kamerës. Të njëjti kanë dërguar vetëm një përgjigje me shkrim.

    “Fillimisht ju informojmë, se z. Pozhegu nuk ka statusin e sinjalizuesit nga institucioni përkatës, Agjencia Kundër Korrupsionit”.

    “Personit në fjalë i është ndërprerë marrëdhënia e punës, për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës. Masat e marra janë bërë në pajtim më Ligjin Nr. 03/L-212 të Punës, Rregulloren 01/2018, për Përgjegjësinë Disiplinore të Zyrtarëve të Punësuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, Kodin e Etikes si dhe Kontratën e Punës”.  

    “I njëjti ka dërguar dhe vazhdon të dërgojë shpifje, për kinse korrupsion e keqpërdorime në Fond, nëpër media të ndryshme dhe institucione tjera të drejtësisë duke dëmtuar imazhin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore si dhe menaxhmentit të tij. Ne jemi prononcuar dhe kemi ofruar informata disa herë para mediave për ketë rast  si dhe kemi ofruar informata edhe për institucionet tjera, në kuadër të sistemit të drejtësisë dhe e kemi argumentuar se çdo pretendim i tij është ndaj Fondit të Sigurimeve Shëndetësore si dhe menaxhmentit të tij nuk është i vërtet dhe s’ka të bëjë fare me “Sinjalizim”.

     “Deklaratat e tij, të njëjta janë të përsëritura me dhjetëra herë nëpër media, si dhe në të gjitha këto raste Fondi ka ofruar dëshmi se pretendimet e tij janë veç shpifje. Si rrjedhojë, ne, FSSH  e konsiderojmë, se e kemi shteruar mjaftueshëm këtë temë dhe nuk kemi nevojë për prononcime shtesë”.

     Me tutje ju njoftojmë, se i lartcekuri ka kallëzim penal të ngritur nga Policia në Prokurori për fyerjet dhe sjelljet e vrazhda ndaj menaxhmentit, nën petkun se është “sinjalizues” dhe “s’keni çfarë të më bëni”.  

    InDoks | Fondi i Dallavereve – Rrëfimi ekskluziv i sinjalizuesit Alban Pozhegu

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark