Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë nisma ligjore kundër ligjit hungarez që godet arsimin e lartë, organizatat joqeveritare dhe azilkërkuesit. Zv.presidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans tha se është i vendosur të përkrahë vlerat e BE-së.
Mijëra hungarezë kanë protestuar kundër legjislacionit që kërkon mbylljen, veç të tjerash, edhe të një universiteti prestigjioz të themeluar nga George Soros. Hungaria, gjithsesi, përballet edhe me kritika për strehimin me forcë të azilkërkuesve nëpër kontenierë anijesh.
Kemi dyshime serioze, nëse ai ligj është i përshtatshëm me legjislacionin europian, tha Timmermans në një konferencë për shtyp. Ai shtoi se Komisioni mund të konsiderojë hapat e mëtejshëm në javët e ardhshme, e se do të veprojë kudo ku nuk ka zhvillime pozitive.
“Duke parë situatën e përgjithshme në Hungari, ajo është shkak për shqetësim nga Komisioni”, tha Timmermans.
Kryeministri gjithnjë e më radikal i djathtë i Hungarisë, Viktor Orban i ka deklaruar “luftë” liberalizmit. Qeveria e tij është kritikuar së tepërmi për trajtimin që u bën azilkërkuesve, përfshi edhe dënimin e së hënës kur Komisioneri i lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi tha se kampet e kontenierëve të rrethuar me tela me gjemba mund të “kenë një ndikim të tmerrshëm fizik dhe psikologjik te gratë, fëmijët dhe burrat që, edhe ashtu siç janë, kanë kaluar një kalvar vuajtjesh të paimagjinueshëm”.
Grandi tha gjithashtu se ishte “tejet i shqetësuar në lidhje me raportet për incidente serioze në trajtimin e të sëmurëve dhe dhunën e ushtruar kundër njerëzve që kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Hungarisë, përfshi atë nga agjentët shtetërorë”.
Ligji për Arsimin e Lartë në Hungari, i nënshkruar më herët gjatë javës, do të detyrojë të mbyllet Universitetin e Europës Qendrore (CEU), të themeluar nga filantropisti Soros dhe që renditet mes 200 universiteteve më të mira në botë, në 8 fusha të ndryshme.
Të dielën, Budapesti përjetoi një protestë masive kundër këtij ligji, që ka frymëzuar edhe një fushatë solidariteti ndërkombëtare. Mbrëmjen e së martës, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner i bëri thirrje qeverisë hungareze të pezullojë implementimin e ligjit. Por qeveria ka njoftuar se nuk do t’i përgjigjet kësaj fushate, duke thënë se “CEU” ka një vit kohë për t’iu përmbajtur ligjeve të reja.