×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kërkesa e Sveçles për pasaportat e skaduara, autoritetet gjermane flasin për Gazetën Insajderi

    Insajderi
    11 January 2023 - 13:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Republika Federale e Gjermanisë ka konfirmuar se më 6 janar ka pranuar një kërkesë nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për lejimin e udhëtimit të shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara.

    “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës”. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”, tha për Gazetën Insajderi, zëdhënës i Ministrisë të Brendshme dhe Komuniteteve, Sascha Lawrenz.

    Më 7 janar, mediat në Kosovë kanë raportuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka dërguar letër zyrtare shtetit të Gjermanisë me lutje që të lejojë udhëtimin e shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara deri në zgjidhjen e situatës.

    Kosova po përballet me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve që nga muaji tetor i vitit të kaluar.

    Së fundmi telashet më të mëdha kanë qenë me prodhimin e pasaportave, ndërsa muaj më parë, telashe pati edhe me prodhimin e letërnjoftimeve.

    Prapaskenat e tenderëve milionësh të Ministrisë së Sveçlës, si mbeti Kosova pa pasaporta?

    Në prill të vitit 2022 Ministria e Punëve të Brendshme kishte nisur një tender që të angazhonte një kompani për prodhimin e pasaportave, letërnjoftimeve e dokumenteve të tjera që lëshon ky dikaster qeveritar.

    Kontrata parashikohej të bëhej me kohëzgjatje 36 muaj, e shteti planifikonte që të ndante mbi 12 milionë euro për këtë punë.

    Dy muaj më vonë do të hapeshin ofertat. Aplikuan veç dy firma, dhe çmimi që secila prej tyre që ofroi ishte pak më shumë se sa 12 milionë euro. Por, kontratë nuk u lidh me asnjërën në atë kohë.

    Muajt do të kalonin dhe MPB-ja kishte filluar ta trashte dosjen e këtij tenderi. Ky aktivitet më shumë se sa një herë u pezullua, dhe atë herë kur kompanitë kërkonin ri-vlerësim e herë kur ato u ankuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

    Një herë ky tender u pezullua më 6 qershor e një herë tjetër krejt në muajin 7 nëntor, kur dy kompanitë dërguan ankesat e tyre në OShP.

    Edhe kompania “YMALKO Sh.p.k” edhe kompania tjetër “Augentic GmbH” kanë ushtruar ankesë në OSHP në nëntor të vitit 2022.

    Eksperti kërkon ri-vlerësim, MPB e anulon tenderin

    Derisa Bordi i OShP-së nuk ka nxjerrur një vendim për asnjërën ankesë, për shkak të afateve, ekspertët e këtij institucioni për të dyja ankesat kanë nxjerrë një mendim profesional që në fakt kërkojnë që ky proces të kthehet në ri-vlerësim. U japin pjesërisht të drejtë edhe kompanive.

    Pavarësisht që në ekspertizën e OShP-së prej hiç më pak se sa 37 faqesh, eksperti vije në përfundim që tenderi “Furnizimi me dokumente personale te identifikimit dhe mirëmbajta e sistemeve elektronike” të mos anulohet, por të ri-vlerësohet, MPB-ja vendosi krejt ndryshe.

    Kjo ministri ka vendosur që ta anuloi krejt këtë tender me arsyetimin se asnjëra ofertë e të këtyre dy kompanive që sollën ofertat e tyre nuk është përgjegjshme.

    Tender i shpejt e i negociuar për 4 milionë euro

    Derisa ekspertiza e OShP-së thotë që ofertat e kompanive të vlerësohen edhe një herë e MPB-ja e anuloi me vendim këtë tender, e njëjta ministri shpalli një tender të mbyllur shpejt e shpejt. Për të njëjtën punë.

    Tenderi “Furnizim me dokumente blanko, pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë” u shpall më 12 dhjetor 2022 dhe u shpall fituesi më 28 dhjetor. “Veridos GmbH” me mbi 4 milionë euro është kontraktuar nga MPB-ja në këtë tender të negociuar.

    Edhe pse kjo kontratë është nënshkruar që më 28 dhjetor, ende nuk ka filluar ofrimi i pasaportave për qytetarët kosovarë. Disa prej tyre madje kanë hasur në aq shumë telashe, sa që vet Ministri Sveçla u shkruajti Republikës Federale të Gjermanisë për këtë telashe.

    Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane ka kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës, të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës. Ai ka kërkuar që shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani të mund të kthehen nga Kosova në Gjermani pavarësisht skadimit të pasaportës kosovare.

    Po ashtu, foshnjat e sapolindura në Gjermani nga prindër me leje qëndrimi në Gjermani, të cilët kanë fluturuar në Kosovë për të marrë pasaportë RKS të paraqiten me këto dokumente: leje qëndrimi e vlefshme gjermane e njërit prej prindërve që udhëton me foshnjën, certifikata gjermane e lindjes së foshnjës, certifikata kosovare e lindjes.

    Ministri Sveçla ka kërkuar që këto masa të vlejnë në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për dokumente identifikuese.

    Në fillim të letrës të siguruar nga Kallxo.com thuhet se fillimisht për shkak të çështjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga mungesa e materialeve si rezultat pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë, Kosova si shumë vende të tjera janë duke u përballur me mungesë të materialit për dokumente identifikuese.

    “Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar”, vazhdon letra e cila mban datën 21 dhjetor 2022.

    Sveçla ka potencuar në letër se kompania e kontraktuar për furnizim me material për dokumente identifikuese nuk ka qenë në gjendje të sigurojë materialin e nevojshëm.

    Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.

    Insajderi ka kontaktuar më palën gjermane, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ta nëse do të pranohet kërkesa e palës kosovarë.

    Pas shumë insistimeve për të marrë përgjigje nga MPB nga ana e Insajderit, më në fund ky dikaster qeveritar ka dalë me një njoftim se nga fundi i janarit pritet të bëhet furnizim i qytetarëve me dokumentet e kërkuara.

    “Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material. Me ketë rast Ministria e Punëve të Brendshme shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në përgjigje. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark