×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kërkohet dorëheqje morale pas vrasjes së gruas në Ferizaj

    Insajderi
    13 April 2024 - 21:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Me anë të këtij shkrimi, dua të ngrit një sërë pyetjesh të rëndësishme lidhur me menaxhimin dhe mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale në bashkëmenaxhim me Komunën e Ferizajt, veçanërisht pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gruas Erona Cokli (21-vjeçare) brenda hapësirave të zyrës së kësaj qendre.

    Shkruan: Artan Nimani

    Letër e hapur drejtuar Ministërave z. Hekuran Murati e z. Xhelal Sfeqla dhe Kryetarit të Ferizait z.Agim Aliu, pas ngjarjes tragjike të vrasjes së 21-vjeçares , Erona Cokli, brenda ambienteve të zyrave shtetërore

    Me anë të këtij shkrimi, dua të ngrit një sërë pyetjesh të rëndësishme lidhur me menaxhimin dhe mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale në bashkëmenaxhim me Komunën e Ferizajt, veçanërisht pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gruas Erona Cokli (21-vjeçare) brenda hapësirave të zyrës së kësaj qendre.

    Si është e mundur që një akt aq i rëndë si vrasja mund të ndodhë në një ambient që presupozohet të ofrojë mbrojtje për individët më të cënueshëm?

    Çfarë masash të përbashkëta janë marrë nga ministria dhe komuna për të garantuar sigurinë e përdoruesve të kësaj qendre?

    Cilat janë procedurat që zyrtarët dhe punonjësit e kësaj qendre ndjekin për të parandaluar incidente të tilla?

    A janë këto procedura të mjaftueshme dhe a zbatohen ato si duhet?

    Si do të sigurohet transparenca në hetimin e kësaj ngjarjeje dhe si do të mbahen llogaridhëse autoritetet dhe individët përgjegjës për menaxhimin dhe sigurinë e qendrës?

    Është jetike që ju si udhëheqës të njihni çdo mangësi në sistemet tuaja dhe të merrni përgjegjësi personale dhe institucionale.

    Si do të angazhoheni personalisht për të siguruar që reforma e nevojshme ndërmerret dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla?

    Si do të mbani të informuar qytetarët dhe veçanërisht familjet e prekura, mbi hapat që po ndërmerrni për të adresuar këto çështje?

    Në dritën e kësaj ngjarje tragjike dhe pasojave të saj, a keni shqyrtuar mundësinë e dorëheqjes tuaj si një akt përgjegjësie morale dhe si një mënyrë për të lejuar një rifreskim në udhëheqjen e institucioneve që menaxhoni? Si mendoni se një hap i tillë do të ndikonte në procesin e rindërtimit të besimit të publikut në qeverisjen dhe mbikëqyrjen e institucioneve të kujdesit social?

    Është thelbësor që të merrni masa të menjëhershme dhe të vendosura për të adresuar këto çështje në mënyrë të përbashkët, për të rikthyer besimin e publikut në institucionet tona dhe për të garantuar që një ngjarje e tillë nuk do të përsëritet.

    Angazhimi juaj do të tregojë përkushtimin ndaj përmirësimit të jo vetëm standardet e sigurisë, por edhe kulturën e përgjegjësisë dhe transparencës në të gjitha nivelet e qeverisjes së institucioneve sociale.

    Kryeministër, Presidente, dhe Ministra, të shprehni vetëm ngushëllime dhe të merrni pjesë në varrime nuk është aspak e mjaftueshme. Është thelbësore që të ndërmerrni veprime të matura dhe të vendosura, të cilat tregojnë përgjegjësi të vërtetë penale dhe morale dhe të sjellinë ndryshime që parandalojnë tragjedi të tilla në të ardhmen. Pjesëmarrja në ceremoni nuk mund të zëvendësojë angazhimin e nevojshëm për të mbrojtur jetët e qytetarëve tanë.

    Në pritje të veprimeve konkrete nga ana juaj.

    Artan Nimani

    Kryetar i Forumit Intelektual Europa 2030

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark