Kërkohet vetëdijesim i prokurorëve në trajtimin e rasteve të LGBT-së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërkohet vetëdijesim i prokurorëve në trajtimin e rasteve të LGBT-së

    Insajderi
    13 December 2016 - 13:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Trajtimi i rasteve të komunitetit LGBT nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, nuk bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.

    Prokurorja e shtetit, Drita Hajdari, tha se janë duke u procesuar disa raste të LGBT-së, duke shtuar se akoma ka probleme në identifikimin e viktimave të këtyre rasteve.

    “Duhet të vetëdijesohen prokuroret në shqyrtimin e këtyre rasteve, sepse kërkojnë një shqyrtim më të veçante se rastet tjera”, ka thënë prokurorja Hajdari.

    Ajo ka thënë se këta persona nuk duhet të ngurojnë që ta deklarojnë orientimin e tyre seksual, duke thënë se kjo është parësore për ta vazhduar hetimin e rastit që ka të bëjë me LGBT.

    Ndërsa Biljana Rexhiq, gjykatëse, tha se sistemi i drejtësisë nuk e ka kryer punën si duhet në trajtimin e këtyre rasteve.

    “LGBT është duke u përballur me shumë sulme verbale dhe fizike, dhe këtu i ka fajet edhe shteti i cila duhet të mbrojë të drejtën e çdo qytetari, pa përjashtuar orientimin e tij seksual”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, deri në vitin 2013 as nuk është bërë fjalë që ekziston grupi LGBT.

    Përfaqësuesja nga institucioni i Avokatit të Popullit, Merita Syla, tha se të drejtat e komunitetit LGBT janë të mbrojtura me kushtetutë. Ajo tha se nga takimet që i kanë mbajtur me grupin e këtij komuniteti, konsiderojnë se nuk mbrohen aq sa duhet të drejtat e tyre.

    “Avokati i Popullit i bënë thirrje Qeverisë që të merren masa ndaj trajnimit të komunitetit LGBT. Gjuha e urrejtjes shkel të drejtat e çdo qytetari”, ka thënë Syla.

    Po ashtu, Salih Dragidella, përfaqësues i Policisë së Kosovës, tha se komuniteti  LGBT është pjesë e shoqërisë, duke thënë se rastet e tilla policia i trajton si të gjitha rastet tjera të qytetarëve.

    “Policia është e detyruar që t’i respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, ndërsa grupi LGBT duhet të kontaktojë për çdo rast që u ndodh me policinë”, tha Dragidella.

    Ky diskutim i mbajt sot nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, me temën “Trajtimi i rasteve LGBT në sistemin Kosovar të drejtësisë”./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark