Këshilli i Qarkut Kukës ka vendosur që t’i heqë titullin qytetar publicistit të njohur të Kosovës, Veton Surroi. Këshilli i Qarkut ka argumentuar një vendim të tillë me qëndrimet që z. Surroi ka mbajtur kohët e fundit për luftën e UÇK-së në Kosovë.
Këshilli i Qarkut të Kukësit përbëhet nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Vendimi është marrë pas propozimit të bërë nga një dy intelektualë të njohur të Kukësit, një mjek dhe një gazetar.
Kreu i Qarkut Kukës, Avdullah Domi gjatë një deklarate pas vendimi tha se, vendimi ishte marrë pas disa debateve ndërsa në votim propozimi u miratua me shumicë votash.
“Ajo çfarë po bën z. Surroi shkon në kundërshtim me vlerat universale dhe patriotike të zonës sonë dhe konkretisht Qarkut të Kukësit duke sulmuar luftën e drejtë të UÇK-së”, është shprehur Domi.
Për këtë vendim ka reaguar dhe kryeministri, Edi Rama, i cili pasi e cilëson “lajthitje kolektive” i kërkon Prefektit të Qarkut të mos e firmosë një vendim të tillë.
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”, shprehet Rama.
“Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd”, ka shtuar kryeministri.
Veton Surroi është një nga intelektualët më të shquar të Kosovës. 59-vjeçari është publicist, politikan dhe ish-gazetar dhe ka qenë përfaqësues i Kosovës në bisedimet për Marrëveshjen e Rambujesë. Surroi në vitin 2011 ka marrë çmimin SEEMO për të drejtat e njeriut.
Veton Surroi u shpall “Qytetar Nderi” i Kukësit në vitin 2015 me propozim të klubit letrat “Anton Pashko” për kontribut të veçantë në fushën e medias dhe politike gjatë krizës së luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Këshilli i Qarkut të Kukësit përbëhet nga 13 anëtarë, përkatësisht 5 nga bashkia e Kukësit, 4 të Hasit e 4 nga Tropoja. Të tre këto bashki drejtohen nga përfaqësues të PS-së të dalë nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat u bojkotuan nga opozita. /Euronewsal