×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Këshilltari i Kurtit vazhdon betejën me BDI’në, thotë se Ali Ahmeti bërtet nëpër tubime “rroftë populli serb”

    Insajderi
    07 April 2024 - 15:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh edhe kandidat i VV’së për deputet në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut, i ka reaguar BDI-së, duke shpërndarë reagimin e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziut, ndaj Bujar Osmanit.

    Këshilltari i Kurtit vazhdon betejen me BDI’në, thotë se Ali Ahmeti bërtet nëpër tubime “rroftë populli serb”

    Qoku, me anë të një postimi në ‘Facebook’ e ka akuzuar kreun e BDI’së, Ali Ahmetin, për “mbështetje të projektit serbomadh”.

    “Ali Ahmeti, në një nga përgjimet, ato bombat e Zaevit, dëgjohet se si është angazhuar për miratimin e Zajednicës në Kosovë. Aliu mbështetës i flaktë i projektit serbomadh Ballkani i Hapur bërtet nëpër tubime “Rroftë populli serb”, kurse Bujari i tij sjell Lavrovin në territor të NATOs, kur shumica e shteteve perëndimore ia mohuan edhe hapësirën ajrore”, ka shkruar ai.

    “Bujari që nuk ka vizituar kurrë Kosovën as si ministër i jashtëm e as si kryesues i OSBE-së, megjithëse pati akt terrorist nga ana e Serbisë me çka u kërcënua siguria rajonale”.

    “Koalicioni i frontit proserb i drejtuar nga Ali Ahmeti duhet të ndëshkohet me votë shqiptare në 24 prill dhe 8 maj”, përfundon postimi i tij.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i ka reaguar Bujar Osmanit, një ditë pasi ai deklaroi se e ka përpiluar planin nëntë-pikësh të OSBE-së për Kosovën.

    Kryeziu me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Osmani po e sheh Kosovën me sytë e një ndërkombëtari. Deklaratat e tij vijnë në vlugun e përplasjeve mes koalicionit VLEN, ku pjesë e saj është edhe VV’ja dhe koalicionit Fronti Evropian, ku pjesë është BDI’ja.

    “Në planin 9 pikësh të OSBE-së, Kosovës i kërkohet të tërheqë Policinë Speciale nga veriu i Kosovës, teksa Serbisë vetëm të ulë gatishmërinë e Ushtrisë (Pika 2). Pra, Kosovës të largojë forcat që rezultuan që garantojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe integritetin territorial të vendit, kurse Serbisë të ulë gatishmërinë e forcave që kërcënojnë me agresion sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në postimin e tij.

    “Plani gjithashtu i kërkon Kosovës që kryetarët e katër komunave në veri të japin dorëheqje në verën e vitit të kaluar (Pika 5). Ashtu siç kërkonte me ngulm edhe Serbia, e cila shpresonte që në këtë mënyrë të zhbënte shpejt gabimin e saj me rastin e thirrjeve për serbët e Kosovës që të braktisin institucionet e Kosovës dhe të bojkotojnë zgjedhjet në katër komunat në veri”.

    “Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani. Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. Deeskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë. Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër. Sa herë që ka patur tensione, ato janë shkaktuar nga struktura e organizime kriminale. Dorëheqje të kryetarëve nuk ka. Ka trasim të një procesi ligjor e demokratik drejt zgjedhjeve të reja në këto komuna që respekton edhe kushtetutshmërinë e legjislacionin, por edhe vullnetin e qytetarëve. E kur të mbahen, ato do të jenë të lira e demokratike. Nuk kanë qenë gjithmonë ashtu”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark