Sokol Havolli, këshilltar për ekonomi dhe shef i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë mbrëmë për Klan Kosova se Qeveria Mustafa nuk është e përfshirë në afera korruptive. Madje, sipas tij gjatë vitit të kaluar nuk është shënuar asnjë rast ku qeveritarët janë të përfshirë në korrupsion.
“Gjatë 2015 nuk kemi pasur afera korruptive dhe ka përmirësim”, ka thënë Havolli. Ka shtuar se Qeveria Mustafa është e fokusuar në zhvillimin ekonomik. Në realizimin e këtij fokusi, Havolli pohoi se rol negativ kanë luajtur protestat e dhunshme pasi që ndikuan në mosardhje të investitorëve. “Ka pasur vonesa në ardhjen e investitorëve të huaj shkaqet kanë qenë protestat e dhunshme dhe efekti i korrupsionit i cili e ka efektin e vet negativ”.
Havolli ka pohuar se është shënuar rritje ekonomike prej 4 për qind edhe pse pritjet qeveritare ishin që të shënohet rritje vetëm prej 3.6 për qind. “Rezultatet tregojnë se kjo normë ka qenë më e fuqishme sesa kemi pritur”, ka thënë Havolli.