
Intimiteti fizik nuk është vetëm çështje emocionale apo kënaqësie, por lidhet ngushtë edhe me shëndetin.
Ekspertët e shëndetit intim theksojnë se mënyra se si kujdesemi për veten menjëherë pas marrëdhënieve seksuale mund të ndikojë ndjeshëm në ruajtjen e higjienës dhe parandalimin e infeksioneve.
Këtu janë shtatë zakone të rekomanduara nga mjekët dhe specialistët e shëndetit seksual, të cilat mund të përfshihen lehtësisht në rutinën tuaj:
1. Pastrimi me ujë të vakët
Larja e zonës intime pas aktit seksual ndihmon në pastrimin e bakterieve dhe djersës që mund të grumbullohen gjatë kontaktit fizik. Përdorni ujë të vakët dhe, nëse dëshironi, një sapun të butë e pa aromë. Kujdes me produktet që përmbajnë përbërës irritues.
2. Shmangia e produkteve të forta kimike
Shumë produkte që premtojnë “freski” për zonën intime, si pecetat me aromë, sprej apo locione, shpesh përmbajnë substanca që prishin ekuilibrin natyral të florës bakteriale. Rekomandohet përdorimi minimal i tyre ose shmangia tërësisht.
3. Urinimi pas aktit seksual
Ky është një veprim i thjeshtë, por jashtëzakonisht efektiv. Urinimi ndihmon në eliminimin e baktereve që mund të jenë futur në uretër gjatë marrëdhënieve, duke ulur rrezikun për infeksione të traktit urinar, sidomos tek gratë.
4. Pini ujë
Hidratimi pas marrëdhënieve është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë akti i urinimit. Pirja e një gote me ujë ndihmon në stimulimin e mëtejshëm të urinimit dhe në largimin e baktereve nga organizmi.
5. Larja e duarve
Gjatë marrëdhënieve seksuale, duart vijnë në kontakt me zona të ndjeshme të trupit. Pas aktit, larja e duarve me sapun është një hap i domosdoshëm për të parandaluar përhapjen e mikrobeve.
6. Pastrimi i lodrave seksuale
Nëse përdorni lodra seksuale, sigurohuni që t’i pastroni menjëherë pas përdorimit. Ndiqni udhëzimet e prodhuesit për të parandaluar mbetjen e baktereve, viruseve apo kërpudhave që mund të transmetojnë infeksione.
7. Vishni veshje të rehatshme
Pasi të keni përfunduar aktin seksual, shmangni rrobat e ngushta ose sintetike. Preferoni të brendshmet prej pambuku ose veshjet që lejojnë lëkurën të marrë frymë. Nëse preferoni, mund të flini pa të brendshme për një ajrosje më të mirë.