Kina është shprehur kundër Ligjit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të miratuar dje, ku bëhet thirrje për shkëmbime të përvitshme ushtarake me Tajvanin, të cilin Pekini e konsideron si një provincë të shkëputur.
“Kina kundërshton me vendosmëri çfarëdolloj shkëmbimesh ushtarake ndërmjet Tajvanit dhe SHBA-së. Kongresi amerikan po ndërhyn në punët e brendshme të Kinës, po prish stabilitetin dhe po cënon sovranitetin dhe sigurinë e Kinës, gjë që do të dëmtojë edhe vetë interesat amerikane”, tha dje zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Yang Yujun.
Zoti Yang tha gjithashtu se Kina i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të korrigjojnë gabimin dhe se Kina rezervon të drejtën të ndërmarrë veprime të mëtejshme në përgjigje të këtij ligji të miratuar.
Ligji, i cili mori mbështetje të gjerë dje në Senatin amerikan dhe për të cilin tani pritet firma e Presidentit Obama, e këshillon Sekretarin e Mbrojtjes “të zhvillojë një program shkëmbimesh ushtarake të nivelit të lartë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit”, si dhe parashikon që deri në muajin shkurt të paraqitet një studim fizibiliteti për përdorimin e porteve amerikane në Paqësor nga forcat tajvaneze.
Stërvitjet ushtarake ndërmjet Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë një gjë e re, por nëse Presidenti Obama e nënshkruan ligjin, krijohen hapësira për shkëmbime ndërmjet udhëheqësve më të lartë ushtarakë të të dyja vendeve. Bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet me Tajvanin të miratuar në vitin 1979 nga Kongresi amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar vazhdimisht armatim dhe paisje ushtarake për të forcuar mbrojtjen e Tajvanit.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) është një ligj i përvitshëm që përcakton shpenzimet e mbrojtjes. Këtë vit, ligji autorizon një rritje prej 3.2 miliardë dollarësh për shpenzime ushtarake.