Kirurgu nga Spitali i Vushtrrisë, Arsim Latifaj që sot u lirua nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, është deklaruar për Gazetën Insajderin. Ai u arrestuan nën dyshimin për “marrje ryshfeti”.
Kirurgu Latifaj ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të luftës që spitalet private po bëjnë me ato publike.
Sipas tij dyshimi për ryshfet ndaj tij ka qenë pa bazë.
“Kjo është lufta e spitaleve private ndaj Spitalit të Vushtrrisë, kurrfarë baze nuk ka pasur, kjo është e tëra. Kaq mund të them se unë ende nuk kam mbërri as në shtëpi mirë”, ka thënë shkurt Latifaj për Insajderin.
Siç konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni, Latifaj është liruar në procedurë të rregulltë.
“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt, ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ende nuk është arrestuar”, ka thënë Preteni.
Për çka dyshohej kirurgu Arsim Latifaj?
Bazuar në raportimin e Gazetës Shneta, një paciente kishte deklaruar se i kishte dhënë 400 euro kirurgut Latifaj për t’ia kryer operacionin. Sipas saj, mjeku ia kishte kërkuar paratë për të blerë mrezhat.
Pacientja tutje tregon se për operacionin e parë fillimisht kishte shkuar në Spitalin e Mitrovicës ku i kishin thënë se duhet të heq peshë 10 kg për t’iu nënshtruar operacionit. Më pas kishte shkuar në Spitalin e Vushtrrisë ku sipas saj kirurgu i ka thënë se intervenimin mund ta kryej nesër.
Pacientja: Arsim Latifi.
Sinjalizuesi: Sa pare t’i mori?
Pacientja: 400 Euro. Po pasha Zotin!
Sinjalizuesi: A të tha blej a paret?
Pacientja: Jo jo, paratë ia dhashë. Unë s’di me ble, çka di unë çka janë mrezhat.
Sinjalizuesi: E ku i more paratë, prej pensionit a?
Pacientja: Jo valla e kam pas djalin jashtë, se sa për pension ilaçe nuk më del.
Prokuroria poashtu ka konfirmuar se kirurgut Ekrem Sefiu është kërkuar masa e paraburgimit ndërsa kirurgu Isuf Zekaj ende nuk është intervistuar.
/GazetaInsajderi