Sipas të dhënave të gjertanishme nga monitoruesit e Koalicionit për Integritet Zgjedhor (KIZ), deri në orën 11:00 dalja e qytetarëve në zgjedhje në Komunën e Drenasit është 8 %, duke shtuar se, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve, trendi i daljes së qytetarëve në votime është dukshëm më i vogël.
Deri në orën 11:00, KIZ thotë se kanë vërejtur parregullsi, siç është votime me asistencë, duke evidentuar 77 raste të tilla.
Sipas KIZ, ka pasur dy raste të fotografimit të votës. Ky koalicion i OJQ-ve ka thënë se nuk kanë munguar as votimet e dyshimta.
“Në qendrën 0310E/02r në fshatin Nekoc, një person është lejuar të votojë përkundër që në gishtërinjtë e tij është identifikuar prezenca e sprejit. Arsyetimi i anëtarëve të KVV-së ka qenë i pakuptimtë duke thënë se prezenca e sprejit ka ardhur si rezultat shpërndarjes së ushqimit apo kontaktit fizik me dikë që tashmë ka votuar”, thuhet në raportin e KIZ-it.
Po ashtu, në të gjeturat e KIZ thuhet se ka pasur ‘mungesë të formularit për ankesë’. Kjo është raportuar në qendrën 0301E/04.
‘Tentim për votim të shumëfishtë’, është e gjetura tjetër në raportin e KIZ-it.
“Sipas vëzhguesve të Koalicionit, në Qendrën e Votimit 0310E/01r, janë raportuar tri raste të tentimit të votimit të shumëfishtë, por një gjë e tillë nuk është lejuar”, vazhdon raporti./Insajderi.com