
Në një fabrikë të thjeshtë në qytetin industrial të Ganzhout në Kinën juglindore, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi në vitin 2019 se “metalet e rralla janë një burim strategjik jetik”. Gati gjashtë vite më vonë, kjo deklaratë po vihet në pah, në kohën kur Pekini zyrtar po përdor dominimin në zinxhirin e furnizimit të metaleve të rralla si armë në luftën tregtare me SHBA-në.
Metalet e rralla janë të rëndësishme për teknologjitë moderne, nisur këtu nga iPhone deri te veturat elektrike dhe armët ushtarake si avionët F-35. Edhe pse gjenden në shumë vende, përpunimi i tyre është i kushtueshëm, i ndërlikuar dhe ndot ambientin. Kina kontrollon 61% të prodhimit global të lëndëve të para dhe 92% të përpunimit, duke dominuar këtë industri.
Së fundmi, Kina ka vendosur kontrolle të reja për eksportin e këtyre metaleve, që kanë ndikuar menjëherë në ndalimin e dërgesave për kompanitë amerikane dhe evropiane. Kompanitë janë kapur të papërgatitura, duke kërkuar qartësi mbi licencat e reja që kërkohen nga autoritetet kineze për të vazhduar eksportet, sipas CNN.
Ekspertët e industrisë, si John Ormerod dhe Joshua Ballard, paralajmërojnë se SHBA nuk ka rezerva të mjaftueshme dhe varet pothuajse totalisht nga Kina për metalet “e rënda” të rralla – më të rrallat dhe më të vlefshmet. Në anën tjetër, Pekini ka zgjeruar kontrollet edhe për produktet që përmbajnë sasi minimale të këtyre elementeve.
Qeveria amerikane ka nisur përpjekje për të ndërtuar një zinxhir furnizimi të brendshëm. Që nga viti 2020, Departamenti i Mbrojtjes ka dhënë mbi 439 milionë dollarë për të krijuar kapacitete kombëtare të përpunimit të metaleve të rralla. Synimi është që deri në vitin 2027, SHBA të mbulojë e vetme nevojat e saj për këto materiale.
Kompanitë si Phoenix Tailings dhe USA Rare Earth po ndërmarrin hapa konkretë: Njëra ka zhvilluar teknologji pa mbetje dhe pa emetime, ndërsa tjetra po ndërton një fabrikë magnetesh në Teksas dhe zotëron një depozitë të pasur me metale të rralla në Perëndim të Teksasit. Megjithatë, sfida e madhe mbetet përpunimi, që kërkon kohë dhe investime të mëdha.
Kina nisi investimet në këtë sektor që në vitet ’70, duke përfituar nga kostot e ulëta të punës dhe standardet e ulëta mjedisore. Sipas Stan Trout, pjesa më e madhe e teknologjisë fillimisht u soll nga Perëndimi, por Kina jo vetëm e adoptoi, por edhe e përmirësoi atë. /Insajderi.org/