×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kjo është situata tek barrikada në dalje të Zubin Potokut

    Insajderi
    13 December 2022 - 11:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pas shumë shpërthimeve që ndodhën në Mitrovicën Veriore, situata sot duket më e qetë tek barrikada në dalje të Zubin Potokut, në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut.

    Kështu thonë burime të Gazetës Insajderi, por që theksojnë se është vërejtur vendosje shtesë e kamionëve në barrikadën në atë pikë.

    SHBA-ja ka kërkuar largimin e barrikadave dhe shtensionimin e situatës, por autoritetet e Kosovës kanë thënë se kjo do të ndodh vetëm në bashkëpunim me KFOR-in.

    Derisa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se NATO-ja është e fokusuar në situatën e krijuar në veri të Kosovës, derisa bëri thirrje për ulje të tensioneve.

    Ai deklaroi të martën për “France 24”, se forcat e NATO-s janë vigjilente, të vëmendshme, të gatshme dhe se po e “përcjellin situatën nga afër”.

    “Mesazhi im për të gjitha palët e shqetësuara është të përmbaheni nga retorika dhe veprimet përshkallëzuese si dhe të ndihmoni në uljen e tensioneve. Forcat tona atje janë të gatshme, vigjilente. NATO-ja dhe BE-ja po punojnë ngushtë së bashku”, deklaroi Stoltenberg, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe që nga 10 dhjetori rrugët që çojnë për në veri të vendit vazhdojnë të jenë të bllokuara nga serbët lokalë.

    Kjo, pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndërkohë qëkur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për këtë fundjavë, në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së.

    Shok-bomba e madje edhe sulme me armë kanë përcjellë këto ditë veriun. Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark