Elseid Hysaj në një skuadër me Granit Xhakën? Edhe mund të ndodhë, natyrisht jo në Kombëtaren Shqiptare, por te Arsenali.
E përditshmja angleze, “Daily Star” përcjell një lajm ekskluziv, sipas të cilit Arsenali është duke peshuar një ofertë prej 15 milionë funtesh për 22 vjeçarin shkodran në drejtim të Napolit.
Në shkrimin e të përditshmes britanike evidentohet se Hysaj që mori dhe shiritin e kapitenit në ndeshjen debutim të Kombëtares Shqiptare në Evropian pas daljes me karton të kuq të Canës është një nga mbrojtësit e rinj më të talentuar në Evropë.
Dicka që vërtetohet dhe nga shumëfishimi i çmimit të Hysajt që u transferua për 3 milionë Euro te Napoli, ndërsa tani Arsenali është gati të paguajë 19 milionë Euro për të.
“Daily Star” shkruan se Arsene Wenger është impresionuar jashtëzakonisht nga paraqitjet e Hysajt në Serie A gjatë 12 muajve të fundit dhe është gati ta konfirmojë këtë interesim me një ofertë konkrete.
Bosi i “Topçinjve” dëshiron të sigurojë opsionet më të mira në repartin e mbrojtjes dhe beson se polivalenti Hysaj, i cili mund të luajë lehtësisht edhe në krahun e majtë do t’i jepte e atë që kërkon.
Talenti spanjoll Hector Bellerin që luan aktualisht në krahun e djathtë të mbrojtjes te Arsenali duket se mund të joshet nga oferta e Barcelonës, por ironikisht “Daily Star” thekson se Barca po ndjek nga afër Hysajn pasi po kërkon të zëvendësojë Dani Alves i destinuar të shkojë te Juventusi. / Insajderi.com